Kurzi i ri i shet mend Gjermanisë, rreshtohet kah plani serbo–rus për Kosovën

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, i cili po qëndron në Beograd, ka deklaruar pas takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq se qëndrimi i Austrisë është që të mbështetet secila zgjidhje që çon te marrëveshja afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurz, i cili nesër në Prishtinë do të ketë takime me zyrtarët kosovarë, ka deklaruar se Vjena zyrtare konsideron se nuk duhet t’i dilet në rrugë marrëveshjes e cila siguron paqen duke u rreshtuar kështu në krah të serbëve dhe rusëve të cilët janë në favor të ndarjes së Kosovës.

“Ne do ta mbështesim. Ky është qëndrimi i Qeverisë. Mua më duket se ky është vendim I shumicës në BE. Nuk mund të të jetë detyrë e BE’së që në këtë proces kyç të jetë pengesë, duhet të jetë mbështetje. Por, jemi koshientë që deri te kjo marrëveshje është një rrugë e gjatë”, është përgjigjur Kurz kur është pyetur rreth ndryshimit të kufijve.

Ai ka theksuar se është më rëndësi që dialogu të vazhdojë por është vendimtare që edhe të ketë sukses.

“Tani është shfaqur rasti unik që historia të mbetet histori dhe që së bashku të ecim në një të ardhme të suksesshme” ka thënë Kurz.

Kancelari austriak ka thënë se njerëzit në Serbi duhet ta kenë të qartë se qasja në BE mund të realizohet vetëm nëse ka marrëveshje në dialogun Beograd–Prishtinë dhe se ky është kushti bazik.

“Është krejtësisht vendimtare nga këndvështrimi im që ky dialog të mbyllet me sukses dhe për këtë arsye mendoj se banorët duhet t’I përkrahin të gjithë politikanët që do të angazhohen në këtë rrugë. Është me rëndësi që të kemi bashkëjetesë, që e kaluara të mbetet e kaluar dhe që në këtë rajon në të ardhmen të ketë stabilitet dhe paqe e jo shkatërrime dhe luftë”, deklaroi Kurz./Gazeta Express/

SHPËRNDAJE