Kush po i prin garës për Podujevën? Flet eksperti i sondazheve Fisnik Halimi

Dorëheqja e ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veluit, për t’u bërë ministër i Brendshëm po provokon seriozisht qeverisjen LDK’së në Podujevë, që konsiderohet edhe bastion i saj. Sipas sondazheve, LDK’ja po prin e para, por assesi të fitojë pa balotazh. Probleme LDK’së po i sjell ish-kandidati i vet, e që tash garon nga radhët e VV’së. Mënjëherë pas VV’se vjen PDK’ja e treta dhe AAK’ja e katërta.

Qytetarët e komunës së Podujevës sot një muaj do të dalin në zgjedhje që ta nxjerrin kryetarin e ri. E për kryetar komune nga partitë e mëdha do të garojnë Nexhmi Rudari nga LDK’ja, Shpejtim Bulliqi nga VV’ja, Naim Fetahu nga PDK’ja dhe Fatmir Humolli nga AAK’ja.

Eksperti i sondazheve nga PIPOS, Fisnik Halimi, ka thënë për Gazetën Express se rezultatet e sondazheve të para tregojnë se LDK’ja po prin e para, përsëri. Megjithatë, nuk mjafton që të triumfojë pa balotazh. Kjo për shkak se kandidati i VV’së, Shpejtim Bulliqi, po i sjell probleme serioze ish-partisë së tij.

“Sipas sondazhit të fundit të PIPOS në komunën e Podujevës, gara për të parin e komunës do të jetë mjaftë e ngushtë në mes të LDK’së, e cila po prin dhe VV’së e cila po del e dyta”, ka thënë Halimi për Express.

Pak ditë më parë Halimi kishte deklaruar në Pressing se VV’ja përfiton një rritje të votave nga disa fshatra të revoltuara nga qeverisja aktuale e që po e mbështesin Bulliqin.

Ndërkohë partia e tretë në Podujevë sipas PIPOS do të jetë PDK’ja, e cila doli e treta edhe në zgjedhjet qendrore të vitit të kaluar.

E menjëherë pas PDK’së, vjen Aleanca e Ramush Haradinajt (AAK) që radhitet e katërta.

“Parti e tretë në Podujevë del PDK’ja, e pasuar nga AAK”, ka thënë Halimi.

Kujtojmë se me formimin e qeverisë së Kurtit, kryetari i atëhershëm i Podujevës, Agim Veliu, mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Me çrast çoi Podujevën në zgjedhje të parakohshme.

Nuk vonoi më shumë se 44 ditë dhe ish-kryeministri Kurti shkarkoi pikërisht Veliun nga posti i ministrit. Veprimi i tillë nxiti LDK’në të paraqes mocionin e mosbesimit, i cili kaloi dhe rrëzoi qeverinë që përbëhej edhe nga vet LDK’ja.

Përveç tensioneve të krijuara në nivelin qëndron në mes të VV’së dhe LDK’së, garën në Podujevë e bën edhe më interesante fakti që Bulliqi dikur ishte pjesë e LDK’së, e tash garon që ta fitojë këtë komunë për VV’në.

Gjithashtu Halimi njoftoi se PIPOs do të vazhdojë me sondazhe deri në ditën e zgjedhjeve si dhe do të organizojë ‘exit-poll’ për Podujevën.

Zgjedhjet në Podujevë që parashihej të mbahen më herët u shtynë për shkak të situatës pandemike.

Rrjedhimisht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli 29 nëntorin ditën e mbajtjes së zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.