Ky është fjalimi i gjatë i Albin Kurtit për aderimin e Agim Bahtirit në VV

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka uruar mirëseardhje kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, me rastin e aderimit të tij nga AKR në subjektin partiak që ai udhëheq.

Kurti në fjalën e tij të rastit në ceremoni, ka thënë se Agim Bahtiri nuk është për herë të parë në Vetëvendosje, njofton Klan Kosova.

”Mirësevini në Vetëvendosje! Ne po bëjmë ceremoninë publike nga ajo që kemi në përmbajtje. As unë nuk jam për herë të parë në Mitrovicë, e as Agim Bahtiri nuk është për herë të parë në Vetëvendosje”.

”Mitrovica nuk është qytet i zakonshëm, prandaj nuk mund të jesh as kryetar i zakonshëm. Mitrovica është qytet i punëtorëve dhe minatorëve, i kulturës dhe shkencës. Jemi me fat, që e kemi kryetar Agim Bahtirin në Mitrovicë. Ardhja e Agimit në krye të Mitrovicës, ka shënuar perëndimin e njerëzve që zbrapseshin para strukturave të Serbisë dhe bënin zullum ndaj shqiptarëve”.

”Si kryetar i komunës në mandatin e parë dhe të dytë ky [Agim Bahtiri] ka dëshmuar se kur je i vendosur dhe vetëvendosur atëherë fiton”.

”Sot ne nuk e kemi kufirin në Lumin Ibër, Vetëvendosje ka qenë kritikuese, parimore dhe radikale e planit të Ahtisarit. Komuna jugore e Mitrovicës ka katër lagje në Veri të lumit Ibër që i ngërthen në territor të vet”.

”Agim Bahtiri ka dëshmuar se para jush dhe para meje se është Gima i Gushavcit dhe se ky nuk e ka pushtetin për vete. Jetojmë një kohë shumë të rëndësishme meqenëse në një peshë si asnjëherë tjetër, ndodhemi në prag të zgjedhjeve parlamentare”.

”Në këtë rrugëtim tonë edhe ardhja edhe formale e Agim Bahtirit në Vetëvendosje na jep forcë dhe fuqi. Ditën e zgjedhjeve do ta shndërrojmë në ditë fitoreje dhe ditë feste”.

”Pas zgjedhjeve Vetëvendosje do të jetë në qeverisje, zotohem para jush që me kryetarin Agim Bahtiri do të punoj shumë afër dhe shumë ngushtë që ta shtojmë mbështetjen edhe më shumë. Mungesa e investimeve dhe mungesa e interesimit të qeverisë për Mitrovicën tonë do të marrë fund me qeverisjen e Vetëvendosjes”.

SHPËRNDAJE