Ky është kundërshtari i vetëm i Bekim Jasharit në Skenderaj (Foto)

Është vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) prej partive parlamentare ajo që do ta sfidojë kandidatin e pavarur për ta marrë komunën e Skenderajt, Bekim Jasharin.

Në garën e 22 tetorit, atë të zgjedhjeve lokale për kryetar komunash në Kosovë, partia e Isa Mustafës ka vendosur që si kandidat për të fituar Skenderajn, të jetë Isa Fejzullahu.

Këtë e ka konfirmuar për Express, deputeti i LDK’së Armend Zemaj.

“Po Isa Fejzullahu është kandidat për Skenderajn, një veprimtar i mirë”, ka bërë të ditur ai.

Isa Fejzullahu – Arban Abrashi

Image

Bekim Jashari, djali i heroit të kombit Hamëz Jasharit, i cili për të parën herë hyri në garën për zgjedhjet komunale ka marrë mbështetje të madhe nga PDK, AAK, e Nisma.

Këta të fundit, nuk kanë vënë asnjë emër si kundërkandidat  për ta sfiduar Bekim Jasharin, ndonëse Skenderaj njihet si bastion i PDK’së.

Madje nga gara për Skenderjan është tërhequr edhe Sami Lushtaku i cili prej se kishte marrë mandatin e tretë si kryetar komune, ka qëndruar në burg për shkak se akuzohej për krime lufte.

Ndryshe, ditë më parë Bekim Jashari e kishte konfirmuar kandimin e tij për të parin e Skenderajt.

Ai ka thënë se me dëshirë nuk do t’i futej politikes, por duke e parë nevojën për ndryshime në Skenderaj, edhe i është futur garës për zgjedhjet lokale.

SHPËRNDAJE