Ky është personi i cili po rrënon raportet Thaçi-Haradinaj (VIDEO)

Former prime minister of Kosovo Ramush Haradinaj (L) speaks at a news conference next to Prime Minister Hashim Thaci, upon his arrival from the Hague, at the airport in Pristina November 29, 2012. Haradinaj, a former guerrilla commander in Kosovo who served briefly as prime minister, was acquitted of war crimes on Thursday for a second time, clearing the way for a potential return to government but angering Serbia. REUTERS/Hazir Reka (KOSOVO - Tags: POLITICS CRIME LAW CONFLICT)

T7 sjell informacione ekskluzive se kush i rrënoi raportet mes Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Hashim Thaçi kishte komandën e Policisë së Kosovës ditën e djeshme kur u arrestua zyrtari serb, Marko Gjuriq, dhe u soll në qendër të Prishtinës; kokulur, i lidhur, i zhubravitur, duke anashkaluar plotësisht Shefin e Ekzekutivit, Ramush Haradinajn.

Burime të Televizionit T7 thonë se Presidenti i Republikës e kishte zhvendosur dje “Dhomën e Situatave” në Zyrën e tij, ku kohë pas kohe ftonte zyrtarë të AKR’së, Ministrin e Brendshëm apo Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacollin. Por në asnjë moment aty nuk ishte parë Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e as ndonjë zyrtar i AAK’së.

Burimet tregojnë se Presidenti e kishte lënë plotësisht në terr informativ Kryeministrin.

Sigurisht, me qëllim.

Një zyrtar i lartë tha se Presidenti e ka njoftuar për ngjarjen Kryeministrin tek pasi përfundoi gjithçka.

Të njëjtat burime thonë se në momentin kur u arrestua në Veri të vendit Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Presidenti serb Aleksandër Vuqiq i kishte telefonuar Thaçit.

Nuk dihet se çfarë kanë biseduar ata, por ajo që dihet është se pas kësaj telefonate, Thaçi kishte urdhëruar që sjellja e Gjuriqit në Prishtinë të jetë spektakolare.

Dhe, ashtu ndodhi.

Në pamjet që po shiheni gjithçka ngjanë në një skenar dhe regji të mirë-menduar; automjeti që sjell Gjuriqin ndalet rreth 100 metra larg Komandës kryesore të Policisë. Mediat pothuajse ftohen nga policia që të afrohen për të marrë pamje më të mira dhe më pas nxirret Gjuriq.

Pikërisht kjo rrit edhe më tej misterin e telefonatës Thaçi-Vuqiq.

E, përderisa nuk dihet çfarë diskutuan dy burrat, një gjë tashmë është e qartë: Ramush Haradinaj krejt këtë shfaqje ka mundur ta shoh në televizor, ndërkohë që nuk kishte asnjë informacion tjetër.

Por, çfarë ka ndodhur me raportet mes Thaçit dhe Haradinajt?

Dhe, a është kjo një thikë e Thaçit në shpinën e Kryeministrit?

Raportet e tyre kishin qenë të vështira qysh nga koha e luftës, kur ata kishin pasur një situatë të pakëndshme në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së në Likoc. Ngjashëm kishte vazhduar edhe pas luftës për të kulmuar më pas në armiqësi të hapur në vitin 2004 kur Haradinaj vendosi të hynte në koalicion qeverisës me Kryetarin e LDK’së, Ibrahim Rugovën.

Çuditërisht, raportet u ngrohën verën e kaluar, kur ata u ulën për ta dizajnuar koalicionin qeverisës. Burime të televizionit thonë se Thaçi kishte pasur rol kyç në futjen e AKR’së së Behgjet Pacollin në Qeveri, duke ia bërë kështu numrat e shumëdëshiruar Liderit të AAK’së.

Por, këto raporte ditëve të fundit janë rrënuar.

Burimet thonë se Thaçi ka filluar t’i punojë pas shpinës Haradinajt pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Sipas burimeve të T7, Thaçi është duke insistuar në Prokurori dhe Polici që për këtë vrasje të arrestohet Millan Radojiçiqi, me të cilin Haradinaj ka raporte bashkëpunimi.

Pa ndihmën e Radojqiqit, sipas të njëjtave burime, Lista Serbe nuk do të bëhej pjesë e Qeverisë Haradinaj.

T7 mëson se Radojqiq ditë më parë ka qenë në darkë – fillimisht në shtëpinë e Behgjet Pacollit në kodrat e Hajvalisë, e pak ditë më vonë edhe në shtëpinë e Ramush Haradinajt; ku ishin të pranishëm gjithashtu edhe Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj.

Mbetet e paqartë nëse Thaçi po tenton ta lidhë Millan Radojiçiqin për shkak se ka informacione se ai mund ta ketë porositur vrasjen e Oliver Ivanoviqit apo thjesht po dëshiron ta minojë Qeverinë Haradinaj tash kur ka kaluar demarkacionin me Malin e Zi.

E, për t’ia arritur këtij qëllime, tashmë nuk është aspak e vështirë. Me ikjen e Listës Serbe, këmbët e Haradinajt janë të qelqta.

SHPËRNDAJE