Ky është profili kriminal i Veriut të frikshëm të Kosovës

Në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës [PK] ndërmori një aksion të gjerë në disa lokacione, përfshirë veriun e vendit. U arrestuan të paktën 9 persona, përfshirë komandantin e Stacionit Policor të Zubin Potokut.

Ndër akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit janë kontrabandimi, marrja e dhënia e ryshfetit, mashtrimi etj.

Që nga mbarimi i luftës e këndej, veriu i Kosovës ka qenë vendi më i frikshëm dhe i kriminalizuar. Iniciativa Globale i bënte një profilizim kësaj zone duke përshkruar karakteristikat kryesore të saj.

Veriu i vendit është një krahinë [sic] me sipërfaqe prej rreth 1,200 kilometrash katrorë, që nënkupton mbi 10 për qind të territorit të përgjithshëm të Republikës sonë. Popullsia është diku rreth 80 mijë, prej të cilëve 70 mijë i përkasin etnisë serbe.

Iniciativa Globale thotë për veriun se “ka qenë një zonë gri, pasi autoritetet kosovare dhe komuniteti ndërkombëtar kanë ushtruar pak autoritet mbi këtë territor që nga ajo kohë.

Duke qenë zonë gri

[e hirtë]

veriu është bërë mjaft joshëse për kriminelë nga i gjithë Ballkani. Qeveria Serbe llogaritet se harxhon rreth 500 milionë Euro në vit, ose sa ¼ e buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2005/11, Qeveria e Serbisë vendosi të hiqte taksën për mallrat që shiteshin në veri të Kosovës duke e pasur për qëllim ndihmën ndaj këtij komuniteti. Por, kjo e ktheu atë zonë në një rrezik tjetër, me taksa zero, ku çmimet e karburantit, makinave e mallrave të konsumit u bënë dukshëm më të lira se në pjesët e tjera të Kosovës. Më 2011, Beogradi e anuloi këtë vendim.

Por, ajo për të cilën shquhet në veçanti veriu është kontrabanda. Ajo “është kaq e përhapur saqë konsiderohet si një aktivitet i zakonshëm ekonomik” thuhet në raportin e GI.

Edhe numri i krimeve për vitet 2013-2017 është alarmant. 14 makinave private iu ishte vënë flaka, në 23 shtëpi private dhe biznese të zonës kishte pasur hedhje të eksplozivit. Veç kësaj, ishin sulmuar edhe pjesëtarët serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës [FSK].

Kontrabanda që lulëzon më së shumti është ajo e karburantit, ndërsa më pas janë edhe materialet ndërtimore, ilaçet, makinat, cigaret, ushqimet, pijet dhe të tjerat.

Llogaritet se nga aktivitetet e paligjshme që bëhen në veri buxheti i Kosovës e pëson me mbi 35 milionë Euro në vit.