Ky është reagimi i Mogherinit lidhur me tendencën për shfuqizimin e ligjit të Gjykatës Speciale

Maja Kocijancic, zëdhënëse e Frederica Mogherinit, ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Europian për nismën e shfuqizimit e ligjit për Gjykatën Speciale, është i njëjtë me zyrën e BE’së në Kosovë.

Një reagim të ashpër të premten ndaj përpjekjeve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale e ka bërë edhe shefja e zyrës së BE’së në Kosovë nataliya Apostolova duke thënë se iniciativa është tmerruese dhe ekstremisht e dëmshme për Kosovën.

“Iniciativa e Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tmerruese dhe ekstremisht e dëmshme” thuhet në reagimin e saj.

Gazeta Express të hënën ka kontakuar Zyrën e Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini për të marrë një qëndrim edhe nga ajo rreth ngjarjeve të së premtes në Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësja Maja Kocijancic ka deklaruar për Gazetën Express se qëndrimi i shprehur në Prishtinë i diplomates bullgare reflekton qëndrimin e BE’së.

“Ju lutem shikojeni qëndrimin e Zonjës Apostolova, shpreh qëndrimin e BE’së” ka thënë Kocijancic.

Ndryshe BE konsideron se në rast se vazhdojnë përpjekje të tilla do të rrezikohet e gjithë puna që është bërrë viteve të fundit.

“Një veprim i tillë do të rrezikojë gjithë punën që është bërë viteve të fundit në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të minojë të gjithë ata që janë ngritur për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë”, ka thënë zyrtarja e BE’së.