Mitrovica vazhdon të mbes nga qytetet e pakta në Kosovë që nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Negativë në teste kanë dalë edhe 10 punonjës të Spitalit të Mitrovicës, të cilët ditë më parë trajtuan një pacient nga Skenderaj që më vonë u konfirmua me virusin korona.
Lajmin e ka bërë të ditur vet kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka njoftuar se pavarësisht rezultatit negative punonjësit vazhdojnë të qëndrojnë në vetizolim dhe nën kujdes shëndetësor.
Postimi i plotë i kryetarit Bahtiri:
Asnjë rast i konfirmuar me COVID-19 në Mitrovicë
Gjithë ekipi mjekësor prej 10 punonjësve i Spitalit të Mitrovicës që e ka trajtuar pacientin e infektuar nga Skenderaj me COVID-19, ka rezultuar negativ në testimin e parë të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Megjithatë, secili prej tyre do të vazhdoj të qendroj në vet-izolim për dy javë në shtëpitë e tyre, me ç’rast do të ju përcjellet gjendja shëndetësore.
Pra, fatmirësisht deri më sot nuk kemi asnjë person të infektuar me COVID-19 nga Mitrovica, që është qyteti i vetëm i madh në Kosovë pa persona që kanë rezultuar pozitiv në testim.
Falënderoj secilin qytetar veç e veç për kujdesin që po tregojnë, duke zbatuar në mënyrë të shkëlqyeshme udhëzimet nga institucionet shëndetësore shtetërore.
Vazhdoni të qendroni në shtëpitë e juaja edhe pak, sepse ditë të mira do të vijnë së shpejti.
AB