Labinot Tahiri tregon qëndrimin e tij për demarkacionin

Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri në një prononcim për Gazeta Blic ka treguar qëndrimin e tij sa i përket marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi.

Tahiri tha se është e nevojshme që kjo marrëveshje sa më shpejt të miratohet në Kuvend, duke pasur parasysh fillimisht interesin e qytetarëve dhe liberalizimin e vizave që vjen pas miratimit.

 ”Mendoj që është i duhur për arsye se qytetarët presin që krahas vendimit të marrë nga ne deputetët, që duhet apo sduhet ta votojmë, shpresojmë që do të realizohet edhe liberalizimi i vizave, por unë për veten po flas sepse në fund secili e kemi një biografi të cilën e ndërtojmë vetë”, pohoi deputeti i AKR-së për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, ai shtoi se në rastin e vendimit pro apo kundër demarkimit të kufirit ai do të vendos në bazë të asaj që mendon që është me e drejtë, dhe jo në bazë të interesave të ndonjërës nga partitë, përfshirë këtu edhe AKR-në.

”Unë nëse kërkohet të votohet, sigurisht që edhe në koalicion që jam në rast se është në interes të shtetit edhe të qytetarëve, në këtë rast nuk më interesojnë interesat e asnjë partie politike, madje as interesat e partisë time. Në këtë rast jam deputet i zgjedhur nga populli dhe do të votojë aty në bazë të asaj se çfarë flet historia për mua”, shtoi ai.

Duke komentuar qëndrimin e qeverisë Haradinaj, Tahiri shtoi se ka besim që kryeministri e di se çka po vepron.

”Do të përkrahë atë që është shumicë e atyre deputetëve që kanë të bëjnë me legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, edhe që e njohin më shumë dhe më mirë se unë këtë fushë, propozimin e Shpejtim Bulliqit siç e ka dhënë raportin e tij. Secili udhëheqës politik që vjen mundohet me dëshirat e veta me i ndryshu këto vendime, mirëpo mendoj që kjo punë është serioze, mendoj që qeveria Haradinaj e dinë se çfarë do të bëj, sepse dikur ka qenë në bazë të kësaj kauze e ka kundërshtuar qeverinë Mustafa”, tha ai.

E sa i përket votës pro apo kundër, Tahiri shtoi se do të vendos për këtë çështje në konsultim me historianë të njohur që sipas tij dinë më mirë të vërtetën e përcaktimit të kufirit.

”Akoma nuk kam marrë vendim sepse konsultohem me njerëz jashtë politikës, historianë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe jo vetëm çka thotë Shpejtim Bulliqi apo Ramush Haradinaj, unë si deputetë i ri nuk kam hyrë për të dëmtuar shtetin apo qytetarët, por me bë më të mirën që duhet”, pohoi deputeti i AKR-së.

Sa i përket mundësisë që marrëveshja e demarkacionit të shkaktojë tollovi në Kuvend dhe në skenën politike në skenën politike në Kosovë, Labinot Tahiri nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

SHPËRNDAJE