Lajm i keq për ish deputetin e VV-së, tash kryetar komune, Qendron Kastrati!

Kryetari i zgjedhur i Kamenicës, Qëndron Kastrati, do të përballet me një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila mund t’ia marrë atij postin e kryetarit dhe ta dërgojë këtë komunë në zgjedhje të parakohshme.

E gjithë kjo pas një ankese të parashtruar nga dega e LDK-së në Kamenicë, për siç pretendojnë ata, zgjedhjen e kundërligjshme të Kastratit në krye të kësaj komune, shkruan lajmi.net.

Sipas ankesës së degës së LDK-së në Kamenicë, kryetari Qëndron Kastrati nuk ka qenë për së paku tre vjet banor i regjistruar i komunës në të cilën ai u zgjodh kryetar, minimum ky që kandidatët për kryetar komunash duhet ta plotësojnë.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë)

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe ish-kryetari i Kamenicës nga rradhët e LDK-së, Shaip Surdulli, i cili ka bërë të ditur që Qëndron Kastrati është regjistruar si banor i Komunës së Kamenicës vetëm më 21 gusht të vitit të kaluar.

“Kemi paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi që PZAP-ja kur e ka shqyrtuar ankesën tonë në fund pasi që janë shpallur krejt rezultatet ka thënë që është jo në kohën e duhur. Atëherë nuk ka lënë drejtë ankese në Gjykatën Supreme kështu që neve e vetmja mundësi që na ka mbetur me u anku ishte në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se vërtet ai me 21 gusht të vitit të kaluar për herë është regjistruar si banor i komunës së Kamenicës”, deklaroi Surdulli.

Surdulli u shpreh i pakënaqur edhe me mënyrën e trajtimit të ankesës së tyre nga ana e KQZ-së, pasi kjo e fundit sipas tij nuk e ka shqyrtuar vërtetimin që Kastrati e ka dërguar si banor, por vetëm e ka certifikuar.

Ai shtoi se LDK-ja në Kamenicë pret që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë ankesën në mënyrë parimore dhe të kërkojë nga KQZ-ja përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komune.

“Nëse shqyrtohet drejtë ky problem, ai është kandiduar në mënyrë të kundërligjshme, dhe KQZ-ja nuk e ka shqyrtuar atë vërtetimin që ai e ka dërguar si banorë por vetëm e ka certifikuar. Dhe kështu në mënyrë të kundërligjshme është kandidu dhe natyrisht është zgjedhë me vota, mirëpo është kundër ligjit për zgjedhje lokale, sepse së paku tri vjet është dashur të jetë banor i komunës së Kamenicës. Besoj që Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë ankesën në mënyrë parimore dhe do të kërkojë nga KQZ-ja që të përsëriten zgjedhjet për kryetar komune, sepse zgjedhjet mund të përsëriten vetëm për kryetar komune dhe jo për delegatë sepse aty nuk ka ndonjë kontest”, përfundoi Surdulli.

Surdulli deklaroi se ankesa është dërguar më 26 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo ende nuk ka ndonjë vendim.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me Gjykatën Kushtetuese mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kujtojmë se Kastrati u zgjodh kryetar i Kamenicës në kohën sa ishte pjesë e Vetëvendosjes, e më vonë ai dha dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij në këtë parti.

SHPËRNDAJE