Lajm i keq për ushtrinë, kjo parti politike me qëndrim të palëkundur – kundër

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së ka votuar sot pakon me tre projektligje që lidhen me shndërrimin e FSK-së në ushtri, duke i proceduar ato në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Transformimi i FSK-së i bëri bashkë pozitë e opozitë, të cilët i mbështetën projektligjet, me përjashtim të Listës Serbe, përfaqësuesi i së cilës në këtë komision u shpreh kategorik kundër, duke paralajmëruar njëherësh se nuk do të votojnë pro shndërrimit në ushtri të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se partia e tij do të mbështesë pa asnjë diskutim projektligjet për FSK-në kur ato të arrijnë në Kuvend.

Beqiri: LDK pa asnjë dilemë do të votojë projektligjet për FSK-në

“E deklaroj që vota ime është pro, që të procedohen këto tre projektligje. E kemi thënë edhe më herët, dëshira jonë dhe nevoja jonë që këto ligje të miratohen është e pa padiskutueshme dhe të miratohen edhe të përkrahen dhe të behën. Shpresojmë janë bërë konsultime të tilla edhe me ata që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë vazhdimisht, po flas për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpresoj shumë që këto projektligje si të tilla në një bashkëveprim të tillë do t’i shkojnë Kuvendit, dhe ne padyshim si LDK do t’i votojmë, pas asnjë dilemë, në momentin që vinë në Kuvend vota jonë është pro”, tha ai.

Ndërsa Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se pritjet për këto projektligje i kanë pas më të mëdha, megjithatë, kjo parti do të votojë pro këtyre projektligjeve.

Selimi: Vetëvendosje do të mbështesë avancimin e kapaciteteve ushtarake

“Grupi jonë parlamentar dhe Lëvizja Vetëvendosje i ka mbështetur cilindo ndryshim kushtetues që avancon Forcën e Sigurisë në forcë të Armatosur të Kosovës dhe po ashtu e ka mbështetur dhe do të mbështet cilindo projektligj, i cili pa ndryshime ligjore e ka për qëllim avancimin e kapaciteteve ushtarake, mbrojtëse në shërbim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Në rastin konkret deklaroj që pritet tona kanë qenë më të mëdha, po e përsëris, ne do t’i mbështesim por pritjet tona kanë qenë më të mëdha, është proklamuar që janë ligje që bëjnë ushtrinë e Kosovës, por nëse gjatë dy leximeve nuk punojnë dhe nuk i plotësojnë me ato parametrat e munguar atëherë druaj që nuk e kemi arritur qëllimin”, tha ai.

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ky është një hap tutje për këtë proces ani pse e mira do të ishte që të bëhet me plotësim-ndryshime kushtetuese.

Haradinaj: Çdo qytetar i Kosovës sot ka të drejtë të gëzohet

“E mira do të ishte që të jetë në plotësim-ndryshimet kushtetuese formimi i ushtrisë së Kosovës, por edhe ky është një hap më tutje, dhe kurdo që plotësohen kushtet ne këtu do të jemi, do të kryejmë edhe atë detyrë. Mendoj që çdo qytetar i Kosovës sot ka të drejtë të gëzohet”, tha ai.

Ai shtoi se FSK do të jetë eksportues i paqes, dhe garantues për të gjithë qytetarët e vendit.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili tha se nuk ka arsye për frikë sa i përket këtij procesi. Sipas tij, kjo do të bëhet bashkë me faktorin ndërkombëtar dhe vendet strategjike që kanë ndihmuar zhvillimin e FSK-së.

Votën për e deklaroi edhe Gjashtë Plus, duke thënë se nuk kanë arsye të votojnë kundër.

Shabani: Është në interes të shtetit që këto ligje të shkojnë tutje

“Këto janë forcat tona dhe njerëzit tanë dhe është në interes të shtetit tonë që këto ligje të shkojnë tutje”, tha Brahim Shabani.

Deputeti Zoran Mojsinoviq nga Lista Serbe ka paralajmëruar se kjo parti është kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri dhe sipas tij kjo po bëhet në kundërshtim me rekomandimet e marra nga NATO.

Mojsinoviq: Kjo po bëhet në kundërshtim me rekomandimet e marra nga NATO.

(Video)

“Vendosja e draft-ligjeve që keni përmendur sot në këtë mbledhje mund të shihet qartë se këtu bëhet fjalë për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Të tri ligjet dhe ndryshimet e bëra në këtë tregojnë për këtë. Kompetencat dhe detyrat që do të ketë dhe nga ajo që ka mbetur ka mbetur emërtimi FSK dhe kjo tregon se në thelb bëhet fjalë për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës dhe vetëm emërtimi mbetet i njëjtë. Jam i befasuar se kjo është në kundërshtim me rekomandimet e marra nga NATO gjatë vizitës sonë të përbashkët këtë vit në Bruksel. Për bashkësinë serbe, e vetme nga forcat ushtarake është e pranueshme KFOR-i dhe me vetë këtë Lista Serbe nuk do të mbështesë këto ligje”, tha ai.

Ndërsa Aida Dërguti nga Partia Socialdemokrate tha se ky është një avancim i vogël.

Dërguti: Nuk është një ushtri e mirëfilltë, është një avancim i vogël

“Bërja e ushtrisë me ndryshime kushtetuese e cila është pretenduar në vitin 2013 është tashmë një shans i humbur për shkak të inateve partiake si zakonisht që i kemi ne në vend, besoj kjo është një mundësi e dytë të bëjmë një avancim të Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilën prapë nuk mund të themi se është një ushtri e mirëfilltë, është një avancim i vogël. E di që pritjet nuk i kemi që Lista Serbe do ta votojë, besoj që kjo çështje nuk do të duhej të varej nga Lista Serbe, nga vota e tyre”, tha ajo.

Transformimi i FSK-së në ushtri, kundër së cilës shprehet Lista Serbe, pritet të diskutohet në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës ku do të shkojnë pako me projektligjet e miratuara sot nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së./

SHPËRNDAJE