Lajm i keq për zyrtarët, ja çka do të ndodh me ligjin për pagat

Zyrtarët e lartë shtetërorë nuk do t’i gëzojnë shumë gjatë pagat e larta dhe përfitimet të cilat u rritën muaj më parë me vendim të shefit të Qeverisë, Ramush Haradinajt. Gjithçka pritet të ndryshojë me Draftligjin e Ri për Pagat.

Kështu paga e kryeministrit që u rrit nga 1260 euro në 2950, me Ligjin e Ri do të bjerë në 2390 euro. Pagë të njëjtë sa të kryeministrit, 2390 euro, do të marrë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilit me ligj paga do t’i zvogëlohet për 165 euro.

Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, që aktualisht merr pagë prej 3108 eurosh, do t’i zbritet paga për 718 euro më pak. Udhëheqësja e Kushtetueses do të paguhet njësoj si kryeministri e kryeparlamentari.

Pagë më të lartë se të kryeministrit, të kryeparlamentarit e të kryetares së Gjykatës Kushtetuese do të gëzojë presidenti Hashim Thaçi. Nga buxheti i shtetit ai do të paguhet 2868 euro nga 2672 sa paguhej në fillim. Me një përllogaritje i bie t’i marrë 196 euro më shumë.

Ky projektligj është në fazën përfundimtare të konsultimeve dhe të kalkulimeve financiare. Kështu thuhet në përgjigjen zyrtare që këshilltarët e kabinetit të ministrit të Administratës Publike (MAP), Mahir Jagçilar, ia kanë përcjellë gazetës “Zëri”.

“Ju njoftojmë se projektligji është në procedurat qeveritare për shqyrtimin e tij paraprak. Po ashtu jemi në fazën përfundimtare të konsultimeve, në inkorporimin e komenteve dhe në kalkulimin financiar. Besojmë që me këto plotësime të lartpërmendura së shpejti do të procedohet për votim në Qeveri dhe pastaj do të procedohet për shqyrtim në Kuvend”, theksohet në përgjigjen e tyre.

Për uljen e pagës së tij është në dijeni edhe kryeministri i Kosovës.

SHPËRNDAJE