Lajmërohet Bujar Bukoshi, ja çfarë thotë për deklaratat e Xhavit Halitit

Ditë më parë, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se gjatë kohës luftës e ka mbrojtur nga tentimet për vrasje kryeministrin e atëhershëm në ekzil, Bujar Bukoshin, kur ky i fundit kishte udhëtuar në Shqipëri. I pyetur nga Express për këto deklarata, ka thënë se nuk do që të merret me ato që thotë Haliti. Thotë se i ka dëgjuar deklaratat e Halitit, por nuk është i interesuar që të flasë lidhur me këtë çështje.

Xhavit Haliti, nënkryetar në Kuvendin e Kosovës, kishte deklaruar se gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë e kishte mbrojtur nga tentimet për vrasje e marrje peng, Bujar Bukoshin, i cili atë kohë kishte qenë kryeministër në ekzil.

“Unë kam bërë luftë me njerëz që kanë dashur të shkojnë ta marrin peng Bujar Bukoshin në Gjermani, se nuk po i jep paratë. Madje, ka pasë një rast që kanë dashur edhe ta vrasin në Tiranë. Ç’është e vërteta e kemi shpëtuar situatën bashkë me kryeministrin e Shqipërisë. Kam pasur angazhim personal që të mos ndodh ajo vrasje në Kukës”, ka thënë Haliti.

Por për këto deklarata të Halitit nuk dëshiron të prononcohet, Bujar Bukoshi. Kontaktuar nga Gazeta Express, Bukoshi ka thënë se i ka dëgjuar fjalët e Halitit por që nuk dëshiron që të prononcohet rreth tyre.

“E kam parë debatin. Por nuk dua të deklarohem rreth kësaj çështjeje”, i ka thënë Expressit Bukoshi.

I pyetur rreth shumave të parave që ka marrë nga Qeveria Bukoshi, Haliti ka dhënë përgjigje enigmatike duke thënë se “nuk dua të flas për këto” dhe se “do ta merrni vesh pas 4-5 muajve pse”.

Ndryshe, Haliti ka thënë se nuk dëshiron ta ngarkojë Bukoshin pasi ka probleme më shëndetin dhe se nuk do që ndaj Bukoshit të ngrihet aktakuzë. /GazetaExpress/

SHPËRNDAJE