Lajmërohet Haki Rugova pas vendimit të Gjykatës Supreme. Befasi deklarata e tij

Pas vendimit të Gjykatës Supreme që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim, ka reaguar përmes një prononcimi për Gazeta Blic, kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Haki Rugova.

Rugova tha për Gazeta Blic që ende nuk e ka parë vendimin zyrtar.

”Unë vendimin nuk e kam parë, informatat pi shoh nëpër portale edhe pa ardh vendimi zyrtar, nuk kam asnjë informacion”, pohoi Rugova.

Mirëpo, pavarësisht kësaj ai thotë që ka procedura të tjera që LDK si parti dhe ai si kandidat do t’i ndërmarrin, pasi që të marrin versionin zyrat.

”Ka edhe procedura të tjera që ne si parti politike dhe unë si kandidat vazhdojmë me procedura tjera”, tha ai.

Gjithashtu, një vendim i tillë sipas Rugovës është krejtësisht i padrejtë, edhe pse ai pohon se nuk ju frikësohet një rivotimi të mundshëm.

”Natyrisht, është krejtësisht i padrejtë.  Unë nuk i frikësohem rivotimit, mirëpo është krejtësisht e padrejtë”, shton ai.

Sipas tij, veprimi i mëtutjeshëm do të jetë drejtimi në Gjykatën Kushtetuese.

”Nëse veç e kanë pru atë vendim, unë nuk e kam pa, ai duhet të dërgohet në mënyrë zyrtare dhe ne e shohim çka veprojmë më tutje, mirëpo nëse duhet të shkohet në rivotim eventual ka Gjykata Kushtetuese, nuk e shoh si vendim meritor”, tha Rugova.

Në fund, kandidati i LDK-së tha se me këtë vendim po gjykohen 20 mijë votues të Istogut, duke përmendur edhe votat e manipuluara, që janë bërë sipas tij me votimin me postë.

”Këtu po gjykohen 20.000 mijë votues të Istogut. Votat me postë janë të anuluara dhe krejtësisht të manipuluara”, tha Rugova për Gazeta Blic.

Ndryshe, pak më parë Gjykata Supreme ka vendosur që Istogu të shkoi në rivotim.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ditë më parë mori vendim që komuna e Istogut të shkoj në rivotim për raundin e dytë, vendim të cilin e kundërshtoi edhe AAK-ja e cila në këtë komunë kandidoi me Gani Dreshajn kundër kandidatit të LDK-së, Haki Rugova.

Për këtë vendim të PZAP-it ka reaguar Aleanca për  Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka dërguar dje në Gjykatën Supreme një ankesë për këtë vendim, duke kundërshtuar rivotimin.

AAK pas dorëzimit të ankesës është shprehur e bindur se Supremja do ta ndryshoj vendimin e PZAP-it dhe të konfirmoj rezultatet e zgjedhjeve të 19 nëntorit, ku fitues doli Dreshaj. Por sot Kolegji i Supremes vendosi ndryshe./GazetaBlic

SHPËRNDAJE