LAJMI I FUNDIT: “Nëse nuk shfuqizohet Specialja, atëherë ndërmarrim hapa të tjerë”!

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL)-së së UÇK-së, Hysni Gucati ka folur lidhje me zvarritjen që po i bëhet tentativës për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Gucati në një prononcim, ka thënë se nuk beson që presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli e kryeministri Haradinaj i kanë rënë pishman që Gjykata Speciale të shfuqizohet.

Por nëse kjo gjë ndodh ai ka paralajmëruar se organizata që ai drejton do të ndërmarrë hapa të tjerë.

“Për hapat e më tutjemë ne kemi një opsion por kemi me u ulë me bisedu dhe nuk besoj që presidenti, kryeparlamentari apo kryeministri i kanë rënë pishman. Edhe me Kushtetutë ajo (Gjykata Speciale) duhet me dalë në rend dite dhe me u fut në parlament dhe janë deputet që vendosin po ose jo, me kalu apo mos me kalu, ata vendosin”, është shprehur ai.

“Ndoshta nuk kalon hiq edhe prapë gjykata hyn në fuqi, nëse nuk kalon ne do të ulemi do të bisedojmë me kryesi dhe do të shohim për hapat e tjerë në emër të zotit e të popullit” tha Gucati.

Tutje, kryetari i OVL-së së UÇK-së tha se nuk po e kupton pse Ambasadat, LDK dhe të tjerët po frikësohen prej kësaj pune.

Kjo temë duhet të dërgohet në parlament sipas tij dhe deputetët e Kuvendit të Kosoves ti japin përgjigjën e fundit se a duhet apo jo të kaloj kjo çështje.

“Unë nuk e di pse po frikësohen prej kësaj pune edhe Ambasadat edhe LDK-ja dhe të gjithë nuk po e kuptoj pse po frikësohen, e qet në parlament dhe vendoset në parlament sepse populli u ka dhënë deputeteve votën dhe ata duhet të vendosin”, ka thënë ai.

I pyetur se si e komenton tërheqjen e Veselit, Thaçit e Haradinajt karshi kësaj teme, ai ka thënë se ata nuk kanë të bëjnë me njerëz të politikës dhe se ata u kanë dhënë mundësinë presidentit, kreyparlamentari, kryeministrit e deputetëve që ta përmirësojnë gabimin që e bën në 2015 duke pranuar themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ata janë në politikë, ne me politikë nuk e kemi ndërmend me u marrë se çka thotë Kadri Veseli, Ramushi dhe Hashimi. Unë e di që çështja e Gjykatës Speciale tash ka shkuar në Qeveri edhe peticioni ynë ka shku ne presim që brenda 30 dite ajo me dalë në parlament. Ne ia kemi dhënë mundësinë kryeparlamentarit, presidentit dhe kryeministrit dhe deputetëve që ta përmirësojnë gabimin që e kanë bërë dhe gabimi duhet me u përmirësu”, ka përfunduar Gucati.

Ndërkohë, kohë më parë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka iniciuar nënshkrimin e një peticioni përmes së cilit do të kërkohet që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale, në mënyrë që të gjykohen edhe krimet e kryera nga serbët.

Shoqatat e veteranëve të dala nga lufta, janë të bindura se subjektet politike në parlamentin e Kosovës do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Peticionin duhet ta nënshkruajnë 10 mijë persona në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të jetë i obliguar ta shqyrtojë kërkesën e peticionit.

Ndërkaq, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, 43 deputetë i mblodhën nënshkrimet për thirrjen e një seancë ku do të zhbëhej kjo gjykatë.

Ky veprim i deputetëve, që prapa të cilëve ishin tre krerët e shtetit: presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kreu i Kuvendit, nxiti reagime të ashpra të bashkësisë ndërkombëtare.

Kujtojmë se pati një tërheqje nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i cili përmes një kolumne tha se pavarësisht që kjo gjykatë është një padrejtësi, të gjithë duhet të jenë të përgatitur që të përballen me të.

Si shef i PDK-së nuk ka treguar se si do të veprojnë deputetët e tij që e kanë nënshkruar iniciativën për zhbërjen e speciales, por ka thënë se vendimi i tyre do të jetë në interes të Kosovës.

Ditë më parë, Presidenti Thaçi u pyet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale duke thënë:

“Qeveria është e ndarë dhe unë nuk do të votojë për punën e ndonjë grupi parlamentar”.

“Unë kategorikisht refuzoj sjelljen brutale të çdokujt kundër grupeve parlamentare apo deputetëve individualisht, sepse ata janë zgjedhur nga populli. Kosova ka obligime ndërkombëtare dhe do t’i respektojë ato. Përderisa kjo Gjykatë të jetë në vend, njerëzit duhet të sillen me përgjegjësi, dhe mos të shkaktojnë situata të jashtëzakonshme në situata normale. Askush nuk mund të kundërshtojë opinionin personal të asnjë deputeti, grupi parlamentar, apo partie politike, por një gjë është e sigurt, Kosova drejtohet nga njerëz që janë zgjedhur nga populli”, kishte theksuar presidenti.

Edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie ka reaguar ashpër ndaj iniciativës për shfuqizim të Gjykatës Speciale.

Delawie, u ka dërguar mesazh të qartë të gjithë politikanëve që e mbështesin shfuqizimin e speciales.

Ai tha se deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra.

Reagime të ashpra ka pasur edhe nga Ambasadat e QUIN-it.

Në anën tjetër, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka folur për Gjykatën Speciale.

Ka përsëritur qëndrimin e Nismës të vitit 2015 se themelimi i kësaj gjykatë është i dëmshëm për vendin.

“Tendenca tash për shfuqizimin e saj, nga vet ata qe e ndihmuan krijimin e saj është jashtëzakonisht shume më i dëmshëm për Kosovën se sa themelimi i saj.Kosova është e para. Ne për fate individuale nuk e rrezikojmë vendin tonë. Ne duam që të dihet se kush po e adreson këtë çështje dhe kush merr përgjegjësi”, ka thënë ai.

Më tutje, Limaj ka thënë se Nisma është ithtarë që iniciativa për shfuqizimin e Speciales të ketë përgjegjës dhe adresë.

Kurse dje pas mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kërkesa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e cila ka ardhur në Qeveri është në procedurë të zakonshme.

Sipas tij, nuk ka ndonjë komentim për të tani, duke shtuar se kurdo që procedura ta sjellë në rend të ditës, do e trajtojnë.

“Ajo ka ardhur në Qeveri, është në procedurë të zakonshme. Nuk kam ndonjë përgjigje, kurdo që procedura e sjellë në rend të ditës ne e trajtojmë”, ka deklaruar Haradinaj.

SHPËRNDAJE