Lajmi i fundit: Veseli paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Mitrovicë se çdo Qeveri që rrezikon raportet me SHBA-në dhe bazën e Bondsteel-it në Kosovë mund të bjerë

Veseli tha se ai është tërhequr nga debati për raportet e Kosovës me SHBA-në, pasi, sipas tij, është e turpshme se si po trajtohen qytetarët e vendit.

“Të gjitha Qeveritë mund të ecin e Bondsteeli jo. Asnjë Qeveri nuk mund të rrezikojë raportet e shenjta me SHBA-në. Ju e keni vërejt që unë jam tërheqë nga ky debat dhe po më vjen turp se si po e trajtojnë qytetarin tonë. Nuk bën kështu, kemi obligime. Kushtetuta është dhe ligjet janë. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, deklaroi Veseli, pas hapjes së qendrës së inovacionit dhe ndërmarrësisë në Mitrovicë.

Veseli tha se Serbisë do t’i përgjigjemi ashtu si e meriton dhe se politikanët e kanë për detyrë mbrojtjen e Kosovës.

“Serbisë do t’i përgjigjemi ashtu si e meriton. Si me tarifë ashtu edhe me reciprocitet. Nuk duhet me marrë këtë pjesë si sherr të vetvetes se e kanë tepruar disa duke e marrë si individuale. Nuk mundet askush vetë me mbrojtë Kosovën. Ju kujtohet kur i pata thënë Avdullahut që me na lanë edhe neve me i ndihmu me mbrojtë Kosovën. Edhe këta tjerët, njësoj duhet me ditë që më së miri Kosova mbrohet nga të gjithë bashkërisht. Ne politikanët e kemi përgjegjësi me ju përgjigjë qytetarëve, Kushtetutës dhe ligjeve të cilat janë në fuqi. I shenjtë është sovraniteti i Kosovës”, tha Veseli.