Latifi: Kadri Veseli afirmoi frymën e unitetit lidhur me politikën e jashtme

Blerim Latifi, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe njëherësh kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë sonte se sa i përket politikës së jashtme, PDK-ja dhe kryetari Veseli kanë afirmuar parimin se kur është në pyetje dialogu dhe ballafaqimi me Serbinë, ne duhet të veprojmë mbi bazën e një fryme të unitetit politik.

Në këtë frymë, shtoi Latifi, vetëm në dy vitet e fundit z. Veseli ka bërë disa shkresa dhe propozime të cilat u janë dërguar partive plitike, mirëpo ato, sidomos partitë opozitare, sipas tij, më tepër ishin të fokusuara te interesi i tyre partiak.

“Parimi i dytë, i afirmuar nga z. Veseli, ishte se cështjet e jashtme të Kosovës nuk duhet të shndërrohen në cështje të luftës së brendshme për pushtet, sepse kjo do të ishte fatale. Dhe kjo u dëshmua”, theksoi Latifi.

Ai shtoi se emërimi i z. Palmer si përfaqësues i qeverisë amerikane për Ballkanin, është një dëshmi e interesimit të vazhdueshëm i SHBA-ve për Kosovën dhe zhvillimet rreth saj.

Sipas Latifit, procesi i dialogut me Serbinë duhet të ketë një përfundim. Ai tha se përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve do ta përshpejtojë procesin e arritjes së një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse, nëpërmejt të cilës Kosova dhe Serbia njihen reciprocikisht.

“Duhet të jetë e qartë se qëndrimet e politike të Shtëpisë së Bardhë nuk ndërrojnë brenda natës. Ato janë konstante dhe afatgjata. Këtij interesimi ne duhet t’i përgjigjemi me maturi dhe me frymë shtetërore”, theksoi Latifi.

SHPËRNDAJE