LDK-së i vendoset ky kusht para votimit të qeverisë?

Shoqëria civile kërkon që LDK-ja të publikojë marrëveshjen me Listën Serbe para votimit të qeverisë.

Marrëveshjet për bashkëqeverisje të LDK-së me AAK-në dhe NISMA-n janë bërë publike, por jo ajo edhe me Listën Serbe.

Nga kjo parti janë arsyetuar se marrëveshjet i kanë publikuar vet partnerët e koalicionit të ardhshëm dhe se ajo vet nuk ka publikuar asnjë marrëveshje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se sot se marrëveshjen me Listën Serbe do ta publikojë vet i dekretuari për kryeministër Avdullah Hoti.

Mirëpo nga shoqëria civile thonë se publikimi i marrëveshjes LDK-Lista Serbe duhet të bëhet para se qeveria e re të votohet në Kuvend.

“Jo pse duhet të konspirojmë ndonjë marrëveshje mes LDK-së dhe Listës Serbe, por është përgjegjësi ndaj publikut dhe për hir të transparencës është mëse e duhur që sa më parë, domosdo para krijimit të qeverisë të publikohet kjo marrëveshje”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim (D4D).

Tashmë AAK ka publikuar pesë emrat e ministrave të saj në Qeverinë Hoti.

NISMA do të ketë dy ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit por ende nuk ka përcaktuar emrat se kush do të drejtojë këto dikastere.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE