Letër publike Thaçit për Gjykatën Speciale: Nuk mund t’i ikni përgjegjësisë që keni për këtë akt të turpshëm

OJQ “Shpresa dhe Familja” i është drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit me një letër publike, ku i ka kërkuar plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, në mënyrë që sipas tyre, të përmirësohet padrejtësia historike, shkruan Periskopi.

Kjo organizatë ka reaguar pas fjalimit të sotëm të Thaçit gjatë një debati për Gjykatën Speciale. Sipas saj, as Thaçi e as partitë që votuan këtë ligj nuk mund t’i ikin përgjegjësisë që kanë për këtë, siç e quajnë ata ‘akt të turpshëm’.

Lexoni të plotë letrën publike të kësaj OJQ’je:

President Thaçi, plotësojeni ligjin për gjykatën speciale e përmirësojeni padrejtësinë historike

Zotëri President i Republikës së Kosovës,

Kritikat tuaja ndaj bashkësisë ndërkombëtare për imponimin e gjykatës speciale janë të kuptueshme, por as ju personalisht, as partia e juaj, e as partitë e tjera që votuan ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për këtë gjykatë nuk mund t’i ikni përgjegjësisë që keni në këtë akt të turpshëm, që ju po e pranoni publikisht se është padrejtësi historike.

Por, kurrë nuk është vonë që të përmirësoheni. Gjykata speciale, e cila sipas ligjit aktual nuk do të merret me krimet e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, mund të pësojë ndryshime me iniciativën tuaj.

Ky ligj mund të përmirësohet duke u plotësuar nga parlamenti i Kosovës, pikërisht me nismën tuaj, sipas kompetencave kushtetuese që keni.

Prandaj, shfrytëzojeni këtë përgjegjësi dhe kërkoni nga të parlamenti i Kosovës që ky ligj të plotësohet dhe mundësoni që në këtë gjykatë të gjykohen Serbia dhe kriminelët e saj.

Vetëm në këtë mënyrë, ju mund të përmirësoni gabimin historik që bëri bashkësia ndërkombëtare në bashkëpunim me ju personalisht dhe me partitë e tjera shqiptare që e votuan këtë ligj në formën e tashme selektive.

Prandaj, zëvendësojini këto kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtar me plotësimin e këtij ligj të mbrapshtë.

Mos lejoni vazhdimin e kësaj padrejtësie historike, por veproni e plotësojeni së bashku me PDK, LDK, VV, AAK, Nisma, Akr e Alternativa ligjin e padrejtë.

Kjo gjykatë është adresa më e mirë për të gjykuar kriminelët serbë dhe Serbinë.

Ju zotëri President, partitë politike të Kosovës dhe parlamenti i Kosovës jeni ata që mund të përmirësoni këtë padrejtësi historike duke e plotësuar këtë ligj.

Kritikat e sotme nuk janë të mjaftueshme dhe ato nuk mund t’ju amnistojnë as juve e as partitë politike nga kjo padrejtësi e krijuar me këtë ligj në këtë formë të një anshme. Krejt ju së bashku e keni në duart tuaja përmirësimin e këtij gabimi të madh historik.

Mjafton vetëm pak vullnet dhe pak guxim që kjo të ndodhë. Prandaj veproni dhe plotësojeni ligjin dhe mos e amnistoni Serbinë dhe kriminelët e saj për krimet ndaj më të dashurve tanë.