Letra emocionuese e Mirush Kabashit: Këta janë ‘kosovarët’ që ju i paragjykoni, për mua këta kanë qenë dhe do të mbeten shqiptarët e Kosovës!

Tërmeti i së martës që goditi Shqipërinë, goditi edhe zemrat e kosovarëve. Që nga orët e para të mëngjesit së të martës, kosovarët, ia mësynë Shqipërisë, hapën dyert e tyre për të stehuar të prekurit, dhuruan ndihma e mjete financiare.

Një obligim ky nga ana e tyrë, për vëllezërit e motrat shqiptare, jo vetëm që kemi të njëjtin gjak flamur e atdhe, por edhe për mikpritjen e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjellë Indeksonline.

Është aktori i njohur shqiptar, Mirush Kabashi, ai që përmes një shkrimi të bërë në Facebook, se në këtë fatkeqësi u tregua kush janë “kosovarët”.

Kjo është letra emocionuese e artistit shqiptar:

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima e më shumë se 900 të lënduar, ndërsa u traumatizuan fëmijë e të rritur, aq shumë sa nëse ndihet një lëkundje sado e vogël, ndonëse nga ndonjë arsye tjetër, brofin në këmbë e braktisin shtëpitë e tyre në çast.

Por kjo fatkeqësi natyrore, tregoi atë për çka ne, shqiptarët e Shqipërisë ishim pesimistë, e jo rrallë herë paragjykues ndaj vëllezërve e motrave të Kosovës. Shumë kush në Shqipëri kur binte fjala tek periudha e luftës në Kosovë dhe strehimi i shqiptarëve të Kosovës në shtëpitë tona, shprehej se ‘ata nuk e bëjnë një gjë të tillë për ne’. Të parët për të paragjykuar si gjithmonë. Por ky paragjykim do të zgjaste deri më 26 nëntor, të paktën për ato mendje të pastra.

Menjëherë pas termetit e gjithë ushtria e Kosovës u nis në kolonë për të ndihmuar Shqipërinë. Një foto e publikuar në rrjet shkaktoi shumë polemika. E pabesueshme por ishte e vërtetë. Rrugët që më parë ishin mbushur me të prekurit e luftës dhe që kërkonin strehim në Shqipëri, do të mbusheshin me forcat ushtarake dhe policore të Kosovës si dhe njësitë speciale të tyre për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti. ‘Është fotomontazh’, kjo ishte një nga shprehjet më të përdorura, deri në momentin kur “Fax News” dhe mediet e tjera do të publikonin edhe video të kësaj autokolone.

Sërish paragjykime, deri në momentin kur rrjetet sociale do të mbusheshin me thirrje të ndryshme nga Kosova e deri në vendet e Bashkimit Europian, ku shqiptarët e Kosovës jetojnë e punojnë. Jepnin numrat e tyre dhe vinin në dispozicion banesat në atdhe për çdokënd që kishte nevojë. Një gatishmëri totale. Më 26 nëntor deri në orën 2 të mëngjesit Fax News transmetoi të gjitha këto thirrje për strehimin e të prekurve nga tërmeti. Dikush ishte i gatshëm për të strehuar 1 familje, një tjetër 3, dikush 10 persona, 50 e deri në 200 të prekur. Ishte ora 2 dhe vijonin të vërshonin këto thirrje nga Kosova.

Telefoni im nuk pushonte. Thirrje nga të njohurit e mi shqiptarë të Kosovës në Zvicër, Gjermani, Austri etj. Refreni ishte i njëjtë: “Beko të lutem publiko që shtëpinë time e lëshoj për familjet e dëmtuara nga tërmeti edhe pse nuk jemi ne atje”. Kishte sosh prej tyre që ofronin edhe një rrogë mujore për ata që do të strehoheshin në shtëpitë e tyre për të mbuluar shpenzimet me ushqime, pasi nuk do të ishin vetë në Kosovë, por në kurbet.

Këta janë ‘Kosovarët’, për ju që në asnjë moment nuk keni menduar diçka pozitive për ta. Kjo është ndihma e tyre, pa asnjë hezitim.

Mediat u mbushën edhe me dy raste të tjera, ku një punonjës i policisë së Kosovës, ndihmonte simotrat dhe sivëllezërit e tij në Shqipëri, ndërsa krahas kësaj fotoje, shfaqej një tjetër e vitit 1999 kohë kur ai ndihmohej dhe strehohej në Shqipëri nga lufta dhe genocidi serb. Një tjetër foto që bëri xhiron e rrjetit, ishte një batanie e vjetër e cila në kohën e luftës i ishte dhënë një familje nga Kosova për t’u mbuluar. Ajo batanie nuk ishte humbur, ishte ruajtur si kujtim i asaj mikpritje, ku Kukësi nga 30 mijë banorë u shndërrua në më shumë se 700 mijë të tillë. Ajo batanie tashmë do t’i dhurohej një familje të mbetur në qiell të hapur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Këta janë ‘kosovarët’ që ju i paragjykoni, për mua këta kanë qenë gjithmonë, janë dhe do të mbeten shqiptarët e Kosovës. Kjo është gjysma më e mirë e Shqipërisë.

Faleminderit Kosovë!

SHPËRNDAJE