Lëvizja Vetëvendosje vazhdon shtrirjen në Shqipëri, hap zyre në këtë qytet

Lëvizja Vetëvendosje, e ka formuar edhe një pikë tjetër në Shqipëri, duke hapur zyren në Kamëz.

Në njoftimin e bërë nga kjo parti, është përmendur edhe historiku i Kamzës.

I pranishëm në hapjen e kësaj zyre ka qenë edhe kandidati për deputet nga Tirana, Boiken Abazi dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Njoftimi i plotë nga Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri:

Hapet zyra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kamëz

Mes aktivistësh të rinj, qytetarë të Kamzës, studentë, profesionistë e punëtorë sot inauguruam zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kamëz. Në përurimin e zyrës u bashkuan edhe aktivistë nga që po kontribuojnë në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit, si dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Adnan Rrustemi.

Falë gatishmërisë dhe përkushtimit të aktivistëve që jetojnë në Kamëz Lëvizja tashmë po shtrihet jashtë Bashkisë së Tiranës dhe jo vetëm për zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë qytet nevoja për ndryshim ndihet prej vitesh dhe ndryshimi i pushteteve lokale vetëm e ka përforcuar këtë nevojë në vend se ta përmbushë atë. Kamza është një qytet shumë i madh dhe i larmishëm për t’u trajtuar si një periferi e Tiranës. Kandidati për deputet z. Boiken Abazi tha përgjatë përurimit se qyteti prodhon shumë kapital, por problemi është se ai kapital nuk investohet aty për shërbime publike si shkollat, çerdhet, hapësirat dhe infrastruktura publike, por zhvendoset dhe përqëndrohet në Tiranë apo jashtë vendit.

Kamza është një qytet i ndërtuar thuajse plotësisht nga prindër, jo me ndihmën e shtetit, por të fëmijëve të tyre. Pas 30 vitesh përpjekje individuale, më shumë se kurrë qytetarët po e ngrenë domosdoshmërinë e organizimit komunitar dhe po i bëjnë të zëshme kërkesat ndaj institucioneve lokale dhe qëndrore për t’iu shërbyer infrastrukturë dhe shërbime publike. Qytetarët ia kanë dalë mbanë të ndërtojnë hapësirat e tyre private me fuqinë e tyre familjare, ndërsa tani duan të ndërtojnë një qytet me cilësi të jetës i cili ua respekton te drejtat dhe nuk i detyron të ikin.

Shumë banorë të Kamzës te Lëvizja VETËVENDOSJE! shohin një mundësi të re për t’u angazhuar me një aktivizëm pa pazare, me qytetarë e pa klientelë, me barazi në të drejtat dhe jo me nëpërkëmbje. Qytetarët e Kamzës prej sot e tutje do të kenë një derë të hapur dhe një hapësirë të tyren për t’u bërë bashkë me të tjerët dhe për t’u angazhuar për një Shqipëri e cila nuk mbyllet brenda unazës së Tiranës.

Kamëz, 8 prill 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri