Liberalizimi i vizave për Kosovën, vjen një lajm i keq

Lajme të këqija kanë ardhur për Kosovën sa i përket liberalizmit të vizave për kosovarët.

Megjithë votimin pro në Parlamentin Evropian, liberalizimi i vizave po duket të jetë mision i vështirë për Kosovën. Supozohet se disa vende të BE-së mund të dalin kundër në votimin që do të bëhet në Këshillin e Ministrave.

Ditëve të fundit, mediat raportuan se 10 vende të Bashkimit Evropian po kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën, mirëpo pa specifikuar se cilat janë ato, shkruan lajmi.net.

Se kundërshtime nga shtete të ndryshme ka, po e thotë edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu.

Ajo për lajmi.net tha sot se Komisioni që ajo udhëheq , ka pasur takime të shumta me përfaqësues nga ambasadat në Kosovë në lidhje me qëndrimet e tyre për këtë proces.

Megjithatë, Deliu-Kodra thotë se nuk janë 10 vende të cilat janë kundër heqjes së vizave për Kosovën.

“Ne kemi pasur disa takime të mbyllura si komision me ambasadat. Nuk janë 10 vende të cilat e kundërshtojnë këtë. E ka shfrytëzuar Vetëvendosja takimin e brendshëm për të publikuar këtë si rezultat. Normale që aty ka pasur shtete që kanë pasur dilema, mirëpo nuk janë aq sa thuhet”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra thotë se kjo çështje tashmë është vendim politik i shteteve anëtare dhe se Kosova nuk ka më asnjë rol.

“Gjermania është më pozitive dhe është një delegacion nga ky shtet që vjen këtë javë në Kosovë. Është vendim politik i shteteve anëtare dhe tash më nuk kemi kurrfarë roli, përveq çështjen e lobimit. Ka një lloj skepticizmi dhe ne po mundohemi të iu tregojmë që nuk jemi në vendet e para të emigrimit illegal si dhe për lëvizjet pozitive që kemi bërë në fushën e legjislacionit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit vlerëson se anëtarësimi ose jo i Kosovës në Interpol, mund të reflektojë edhe në vendimin për vizat.

Se vendimi pro ose kundër liberalizimit të vizave është politik, po e thotë edhe njohësi i çështjeve të Integrimeve, Avni Mazreku.

Ai për lajmi.net tha sot se vota e një shteti varet nga qëndrimi që ka ai vend për Kosovën.

“Vendimi final për vizat merret në Këshillin e BE-së, dhe ky Këshill përbëhet nga përfaqësues të shteteve. Domethënë aty gjithcka varet nga qëndrimi i shteteve. Prandaj për cfarëdo afati që është folur më përpara, është paragjykim sepse askush nuk mundet ta prejudikojë qëndrimin e një vendi”, tha Mazreku.

Megjithatë, Mazreku shton se situata aktuale në BE, nuk është në favorin e Kosovës.

Ai vë në dukje edhe pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

“Situata aktuale në Bashkimin Evropian nuk është në favor të Kosovës, sepse ka edhe vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, dhe që janë kundër heqjes së vizave si rezultat i zhvillimeve të brendshme politike. Kosova nuk ka pasur strategji efektive që të arrihet deri te një koeficent i caktuar i shteteve që përkrahin vendimin për heqjen e vizave, në mënyrë që vendimi të jetë pozitiv”, ka thënë në fund Mazreku.

Ndërkaq, nga takimet e Komisionit për Integrime Evropiane, mësohet se shtetet më skeptike për heqjen e vizave janë Franca dhe Holanda.

Kujtojmë se votimi i fundit në institucionet e BE-së për këtë çështje ishte ai në Parlamentin Evropian.

Aty Kosova mori 480 vota pro, e 186 kundër.

SHPËRNDAJE