Liberalizimi i vizave, vjen lajmi i mirë nga ambasadori gjerman

Ambasadori gjerman Christian Heldt shpreson se të rinjtë kosovarë do të lëvizin shumë shpejtë pa viza në Evropë.

Christian Heldt ka disa muaj që është në krye të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, por assesi nuk po mund të mësohet me ajrin e ndotur të Prishtinës.

Gjatë një interviste për gazetën “Zëri” diplomati gjerman shprehet se po ta kishte shkopin e famshëm magjik tri gjëra do t’i ndryshonte në Kosovë:

“Që shqiptarët e serbët, sikurse edhe bashkësitë tjera, t’i qaseshin njëri-tjetrit në mënyrë më aktive dhe të arrihet paqe me Serbinë, t’i zhdukë mbeturinat gjithandej dhe të ketë një qasje më miqësore ndaj natyrës e që gjenerata e re të udhëtojë shpejt e pa kufizime në Evropë”, ka thënë ai.

Ai shprehet jo i kënaqur edhe me ajrin në kryeqytet.

“Nuk po mund të mësohem me ajrin e ndotur. Ndonjëherë pyes veten, çfarë është gjithë ajo që digjet dhe këtu lind një dilemë: nëse është dru – kjo çon në prerje më të shumta ilegale të pyjeve dhe në vitin 2030 në Kosovë nuk do të ketë më sipërfaqe të mbyllura të pyjeve. Thëngjilli, ky lëshon erë të keqe, megjithatë njerëzve u duhet të ngrohen me diçka. Unë do të dëshiroja që me prioritet të zhvillohej fusha e energjisë rigjeneruese, sepse aty ka një potencial të jashtëzakonshëm që nuk është shfrytëzuar”, ka thënë ai

SHPËRNDAJE