Ligji i Pagave mund të pezullohet përsëri, paralajmërohen tensione

Mundësi ligjore ka, por nëse Ligji i ri i Pagave pezullohet edhe njëherë, mund të ketë tensione. Kështu kanë vlerësuar nga SBASHK-u lidhur me situatën aktuale për këtë ligj.

Njohësi i Kushtetutës, Rizah Smaka për lajmi.net është shprehur se Ligji i Pagave mund të pezullohet përsëri sepse kjo Gjykatë nuk ka rregulla që përcaktojnë funksionimin e saj, shkruan lajmi.net.

“Mund të ndodh për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk ka rregullore për shembull për shkeljet e Kushtetutës siç është kodi penal ose ligji për kundërvajtjte që përshkruhen të gjitha veprimet e mundshme, Kushtetuesja nuk e ka këtë rregull dhe nuk ka sanksione që e obligojnë për të funksionuar brenda një afati të caktuar.”, tha Smaka

Më tutje, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj për lajmi.net ka thënë se presin që Kushtetuesja të marrë vendimin pro implementimit të Ligjit të ri të Pagave.

“Ne jemi në një situatë të tillë tani kur mësimi po zhvillohet në distancë dhe ne jemi përkushtuar të realizohet kjo dhe unë besoj që Kushtetuesja do të duhej të merrte vendim pro. Mbase Kushtetuesja është e zënë tani me këtë çështjen tjetër, por do të ishte mirë që në fund të qershorit të merret vendimi, dhe të mos pezullohet përsëri. Ne pastaj do të shohim, ne së bashku me sindikatat e tjera jemi të bindur se Kushtetuesja do të sjell vendim meritor për Ligjin e Pagave dhe vërejtjet e Kushtetueses do të përmirësohen nga deputetët”, tha Jasharaj për lajmi.net.

Më tutje, ai tha se pas dy pezullimeve do të ishte e pakuptueshme të ndodh edhe një tjetër pezullim, pasi as avokati i Popullit nuk është ankuar lidhur me koeficientët e ligjit të ri.

“Janë dy pezullime, i pari deri në fund të marsit dhe tani ky deri në fund të qershorit dhe shpresojmë të mos ketë shtyerje të tjera sepse ashtu-kështu ka pasur tensione dhe Kushtetuesja nuk duhet të ndikohet në sjelljen e një vendimi meritor që të implementoj ky ligj. Avokati i popullit gjatë takimit që e kemi pasur me të ka thënë që ai nuk ka goditur pika ku kanë të bëjnë me koeficientët, por ka kritikuar pika ku nuk është bërë një nivelizim në sektorë të tjerë”, tha ai.

Jasharaj ka konstatuar gjithashtu se në këtë situatë nuk mund të bëhet grevë, por pas vendimit të Kushtetueses mbetet të shihen hapat.

“Po momenti aktual që jemi, mësimi po zhvillohet ngadalë, nuk kemi si të bëjmë grevë, ne do të presim dhe cilido qoftë vendimi i Kushtetueses, bashkarisht do të marrim vendim, por kështu do të vazhdojmë të jemi në komunikim me sindikatat të tjera, në mënyrë që çdo vendim ta bëjmë bashkarisht”, tha Jasharaj.

E në rast se ky vendim pezullohet përsëri, atëherë Jasharaj thotë se viti i ri shkollor që fillon nga shtatori mund të ketë tensione dhe të ketë greva.

“Nëse Kushtetuesja vazhdon me zhagitje, atëherë shtatori mund të ketë telashe në arsim dhe sektore të tjera, viti tjetër mund të përcillet me kënaqësi dhe nëse mësimdhënësit kërkojnë, atëherë unë detyrohem t’u përgjigjem, e mbase në fillim të vitit tjetër mund të ketë edhe greva”, tha Jasharaj.

Ligji i ri i Pagave është pezulluar për të dytën herë në fund të muajit mars, pasi pezullimi i parë kishte ndodhur nga dhjetori e deri në fund të marsit.

Në fund të muajit qershor, Gjykata Kushtetuese pritet të publikojë verdiktin lidhur me Ligjin e Pagave.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE