Ligji i pagave, shërbyesit civil ndjehen të tradhtuar nga qeveria

Shërbyesit Civilë mbetën të pakënaqur me Ligjin e Pagave, pasi kërkojnë nivelim të pagave me sektorët e tjerë. Ata konsiderojnë se janë lënë anash krahasuar me shëndetësinë, arsimin e institucionet e tjera.

“Ne shfrytëzuam një mundësi ligjore, i dhamë hapësirë dialogut social, ishim në takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili na priti dhe na premtoi se rritja e pagave do të jetë e barasvlershme me sektorët e tjerë, ne kështu besuam por u tradhtuam nga krerët e shtetit”, tha Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civilë.

Ai tha se Komisioni parlamentar ka dalë vazhdimisht me qëndrimin se ngritja do të jetë lineare për sektorët e caktuar, dhe kësaj radhe shërbyesit civilë nuk do lihen anash sikurse janë lënë deri më tani. “Çdo ngritje e mëhershme ka pasur diferencë të madhe psh arsimi ka pasur 50% ngritje në kohën sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, shëndetësia pati 40% ngritje, policia 30% ndërsa shërbyesit civilë mbetën me 25%. Ne nuk kërkuam në start nivelim të pagave sepse do të ishte ngritje e dyfishtë”, tha Zymberi në RTK3.