Limaj para anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Nismës shpalos objektivat për qeverinë e ardhshme

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Kombëtarë. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka shpalosur disa nga objektivat e Nismës për qeverinë e ardhshme.

Ka përmendur, dialogun me fqinjët, politikën e jashtme, liberalizimin e vizave, investimet në bujqësi, si dhe vazhdimin e fuqizimit të prodhuesve vendor dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Po ashtu ai ka përmendur edhe paketën sociale dhe reformën pensionale, si dhe është zotuar për angazhim të madh në mënyrë që të ndryshohet qasja për diasporën.

Kreu Nismës ka përmendur edhe reformën në drejtësi si pikë programore të Nismës në këto zgjedhje.

Limaj më tutje ka thënë se nuk ka fitore individuale dhe se fitorja e Nismës Socialdemokrate është mbi të gjitha.

“Ne kemi me punuar me mijëra aktivist që nuk ndalen për këtë fitore që ne synojmë. Puna ekipore ka me na sjelle ne fitoren e Nismës Socialdemokrate. Kushdo që punon për këtë objektiv krejt jemi të fituar. Ky është dallimi që kemi ne me subjektet politike. Ne punojmë për ekipen dhe ne bashkë punojmë për t’i shërbyer vendit tonë duke implementuar programin e Nismës dhe partnereve të koalicionit”, ka shtuar Limaj.

“Unë pres nga ju miq të na ecë puna, me ecë e me dalë aty ku e kemi objektivin. Këtu ku jemi sot si rezultat i këtij shpirti. Jemi lidhë fort i kemi grahë punës, e kemi pranuar garën dhe e kemi nxjerrë rezultatin që se ka pritë askush. Nuk ka gjë më mirë se në një fitore dhe nëse e vendos një tullë në atë rezultat”, ka theksuar Limaj.

Të pranishmeve më nga një fjalë rasti i janë drejtuar edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm, Bilall Sherifi dhe sekretari organizativ, Enver Hoti të cilët kanë kërkuar mobilizim të strukturave të Nismës për zgjedhjet e 6 tetorit.

SHPËRNDAJE