Limaj udhëheqësve serbë: Mjaft më, kuptoni realitetin se Kosova është shtet

Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës ka folur edhe njëherë për vendosjen e taksës prej 100% për produktet serbe.

Limaj ka thënë se Kosova nuk e ka marrë këtë vendim nga dëshira, por ka qenë e detyruar.

Numri dy i qeverisë së Kosovës ka thënë se e kanë toleruar deri tash Serbinë duke shpresuar se do të vetëdijesohet, por meqë kjo, sipas tij, nuk ka ndodhë, atëherë e kanë marrë vendimin si partnerë të koalicionin për taksën.

Më tutje Limaj ka thënë se është momenti i fundit kur Kosova duhet të sillet si shtet normal.

“Vjen një moment kur ne duhet të vetëmbrohemi. Në nuk mund dhe nuk do të lejojmë të futen mallra me emërtimin në Kosovë me mbishkrime Kosovo e Metohi. Kjo për ne është e papranueshme. Serbia është mirë të pranoj realitetin e krijuar në Kosovë tash e sa vjet”, ka thënë Limaj në një prononcim për ‘Ekonomia Online’.

Duke folur për kërkesat e ndërkombëtareve për heqjen e taksës, ai ka thënë se kërkesa e tyre është normale, sepse sipas tij, është absurde që në rrethana ta zakonshme me nxjerrë taksë, por siç thotë Limaj situata në Kosovë është jonormale.

Sipas Limajt, motivi i vetëm i taksës është mbrojtja e interesit të vendit. /Lajmi.net/

SHPËRNDAJE