Limaj viziton komunën e Mitrovicës, Bahtiri ia shtron tepihun e kuq

Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj ka vizituar sot komunën e Mitrovicës ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Në këtë takim, zëvendëskryeministri Limaj i ka ofruar mbështetjen e Qeverisë komunës të cilën Bahtiri e drejton.

Limaj ka tha drejtimi i komunës së Mitrovicës dallon nga komunat tjera për shkak të arsyeve të njohura.

“Ne si qeveri e Kosovës i gëzohemi sukseseve dhe arritjeve tuaja. Në të njëjtën kohë si qeveri e Kosovës jemi të obliguar të mbështesim secilën komunë të Kosovës e veçanërisht Mitrovicën”, ka thënë ndër të tjera Limaj, i cili u zotua se kjo komunë do ta ketë mbështetjen e nevojshme të qeverisë.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka falënderuar Limajn për vizitën. Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar vëmendje me të madhe nga qeveria për komunën të cilën ai e drejton.

Pas Mitrovicës, Limaj dhe Bahtiri kanë vizituar minatorët e Trepçës të cilët tash e katër ditë janë në greve.

Limaj ua ka bërë të qartë minatorëve se vizita e tij ka qenë e paplanifikuar. Megjithatë ai është zotuar se do të diskutojë me kryeministrin për kërkesat e grevistëve.

“Në fillim dua të ju bëj me dije se unë sot nuk kam ardhur të flas në emër të qeverisë, pasi kjo vizitë ka qenë krejtësisht e paplanifikuar. Unë kisha një vizitë në komunën e Mitrovicës të koordinuar ditë më parë dhe nuk mund të vija në Mitrovicë e të mos ju vizitoja”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Më tutje, ai ka thënë se kërkesat e minatorëve nuk janë në dem të Kosovës duke apeluar që ta ruajnë qetësinë dhe të gjejnë një zgjidhje bashkë me qeverinë e Kosovës.

“Ne të gjithë duhet të orientohemi në zgjidhjen e problemit e jo të kërkojmë fajtorin. Kryeministri ka qenë në një vizitë të rëndësishme jashtë vendit dhe nuk ka mund të ju vizitoj. Bashkërisht do ta tejkalojmë edhe këtë”, ka shtuar Limaj.

Minatorët nga ana tjetër kanë thënë se kërkesat e tyre janë të drejta. Ata kanë thënë se duan që kërkesat e tyre të zgjidhen përmes dialogut.

 

SHPËRNDAJE