Limaj: Vuҫiq, Vulin, Daҫiҫ janë psikopatë dhe aventuristë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ndër të tjera në Frontal ka folur edhe për taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj produkteve të Serbisë. Ai ka thënë se ka ardhur që Kosova të sillet si shtet ndaj Serbisë.

Limaj ka thënë se kosova është vonuar të sillet si shtet karshi Serbisë, pasi kjo e fundit nuk na njeh si shtet dhe vendosja e taksës është në mbështetje të identitetit tonë shtetëror.

“Beogradi neve na hidhëron ҫdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Nuk na njeh si shtet, punon natë e ditë që ta minojë shtetësinë e Kosovës. Ne jemi vonuar, për t’u sjellë si shtet karshi Serbisë. Ne e kemi pranuar në mënyrë të heshtur faktin që nuk na njeh si shtet. Kurdo që t’i mbushet mendja jemi këtu, është në interesin e përbashkët që të kemi marrëdhënie të mira, por nuk ka më marrëdhënie në dëm të kurrizit të Kosovës”, është shprehur Limaj.

Ai tutje ka thënë se Serbia po udhëhiqet nga tre persona të cilët bëjnë gjithë kohën propagandë kundër Kosovës, duke folur kështu për kryeministrin serb, Aleksandër Vuҫiq, Ministri i Jashtëm Ivica Daҫic si dhe Ministri i Mbrojtjes Aleksandër Vulin, të cilët i ka quajtur psikopatë dhe avanturista.

“Ata nuk mund të dalin nga lëkura e tyre, në 5 minuta të fjalimit të tyre sheh frymë dhe mentalitet të Millosheviҫit. Ata janë aventuristë, psikopatë, udhëheqës shovinistë”, është shprehur Limaj në Frontal.

Nërkaq ai tutje ka thënë se u bën thirrje të gjithë qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë që të mos bien pre e propagandave të liderëve serbë, pasi ata e dinë se si Millosheviҫi i ka lënë në rrugë, ua ka prishur jetën edhe atyre sikurse kosovarëve./GazetaExpress

SHPËRNDAJE