Lirohet Jabllanoviq, ishte i dehur në momentin e arrestimit

Policia e Kosovës në stacionin e Leposaviqit, mbrëmë ka arrestuar ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq. Ai në gjendje të dehur ishte përleshur me disa persona për shkak të vendosjeve të afisheve në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Jabllnoviq, mbrëmë është liruar në procedurë të rregullt pasi kishte qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin kur është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëvendësdrejtori i Policisë për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Mbrëmë është liruar. Ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Policia në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një armë. Jabllanoviq në afërsi të një pompe derivatesh në afërsi të Leposaviqit është përfshirë në një zënkë me disa persona të tjerë”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar.

Aleksandar Jabllanoviq ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai është shkarkuar në fillim të shkurtit 2015 nga kryeministri Isa Mustafa pas protestave të dhunshme të qytetarëve të organizuara pas ofendimeve që kishte bërë Jabllanoviq ndaj nënave gjakovare, të cilat i kishte quajtur “egërsira” pas protestave të tyre kundër ardhjes në Gjakovë të një grupi serbësh, për të cilët ato dyshonin se kishin marrë pjesë në krimet kundër ish-fqinjëve të tyre gjatë kohës së luftës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE