Lluka: Trepça do të jetë sërish një promotor i zhvillimit të vendit

Kompleksi metalurgjik Trepça, viteve të fundit vazhdon të përballet me plot sfida të ndryshme të zhvillimit të saj, ngase ka një kohë të gjatë që është edhe pa bord drejtues që do të mundësonte zbatimin e Ligjit për Trepçën i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë.

Megjithatë, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se rritja e investimeve në sektorin e minerar, përfshirë këtu edhe aktivizimin e plotë të ndërmarrjes Trepça me investime brenda saj, si dhe aktivizimi i disa minierave në zona me interes të veçantë do të jenë një prej objektivave kryesore për vitin 2018.

Ministri Lluka ka thënë se deri në fillim të muajt shkurt do të bëhet funksional bordi i ri i Trepçës, dhe kështu sipas tij, do t’i rikthehet nami që ka pasur dikur.

“Trepça do të jetë sërish sikurse në kohën e dikurshme një promotor i zhvillimit të vendit…Po shpresoj që deri në fund të janarit eventualisht fillimi i muajit shkurt bordi do të jetë funskional në Trepçë”, ka thënë ministri Lluka.