Lufti Haziri tallet me Vjosa Osmanin që po ‘shet mend’ te Kulla e Isa Boletinit

Nënkryetari i LDK’së, Lufti Haziri, e ka kritikuar ashpër deputeten e kësaj partie, Vjosa Osmani për vizitën e sotme të saj te Kulla e Isa Boletinit që gjendet në Zveçan, bashkë me dy deputetët e tjerë të kësaj partie, Armend Zemaj e Haxhi Avdylin.

Nga atje, Vjosa Osmani kishte thënë se ‘fjalimet dhe dëshirat e Vucicit, njëjtë si dhe të mentorëve të tij Milosevic e Sheshel (por edhe të disave në Kosovë) për këto toka, ishin dhe do të mbeten vetëm ëndërra të papërmbushura dhe asgjë tjetër’.

Kësaj deklarate të Osmanit i ka reaguar bashkëpartiaku i saj, Haziri, i cili ka shkruar se ajo po shet mend për vota te Boletini i Koosvës.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi. Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën”, ka shkruar Haziri në profilin e tij në Facebook, raporton Periskopi

Tutje, ai ka thënë se Kosova Lindore do të jetë Kosovë, dhe kushdo që e kontenston një gjë të tillë, duhet t’i vijë marre.

“Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë! #KosovaLindoreamanet”, shkruan tutje Haziri./Periskopi