LUFTOI PËR KOSOVËN, IKU NË FRANCË DHE U KTHYE PËRSËRI PËR TA VRARË VËLLANË NË LIPJAN

Emrush Gashi nga Terbovc i Lipjanit ka dy histori krejtësisht të ndryshme të jetës së tij para çlirimit të Kosovës dhe pas çlirimit të saj. Ai kishte luftuar për Kosovën dhe lavdëruar nga shokët e tij, por pas luftës ai shkoi në Francë ndërkaq gjatë pushimi të tij në Kosovë të këtij viti është kthyere dhe ka vrarë vëllanë e vet, raporton Insajderi.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar gjatë ditës së sotme se është në kërkim të Emrush Gashit që është i dyshuari kryesor për vrasjen e vëllait të tij 54-vjeçar më 14 korrik të këtij viti.

Ai kishte ardhur në Kosovë për pushime, por kosovari nga Franca 58 vjeç, që kishte pasaportë zvicerane, të shtunën vrau vëllanë e tij, 4 vjet më të vogël me moshë, Mali Gashin. Arsyeja e vrasjes sipas familjarëve dyshohet që ka të bëjë për një tokë.

Sipas asaj që kishte raportuar më herët Express, Emrush Gashi ishte i dënuar edhe më parë për vrasje. Ai ishte dënuar 13 viteve burgim për shkak se kishte vrarë një komshi të tij.

Por disa nga shokët e tij Emrushin e kujtojnë më ndryshe atë e quajnë si organizator të çmuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Karadak, Shalë, Kleçkq dhe Blunaj.

“’Bardhësitë e Atdheut’-me krenari e mban në duar e në zemër bashkëluftëtari ynë i nderuar, Emrush Gashi nga Terbufci i Lipjanit. Emrushi është një nga çlirimtarët e parë dhe organizator i çmuar i UÇK-së jo vetëm në Karadak, por edhe në Shalë, Kleçkë, Blunajë e vende të tjera”.

Emrushi, sot me mall jeton në Francë, ku është duke vazhduar shërimin e plagëve të tij të luftës së UÇK-së…ai, kahdo dhe kurdo, UÇK-në e mban në shpirt, në trup e në zemër… Lavdi dhe krenari veprës së bashkëluftëtarit tonë të nderuar Emrush Bajram Gashi”, kishin shkruar njëri prej miqve të Emrishit në llogarinë e tij në Facebook.

Policia ka kërkuar ndihmë nga qytetarët e Kosovës që kushdo që e sheh Emrush Gashin ta lajmërojë Policinë e Kosovës. Sipas Kryeprokurit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka që ishte deklaruar për këtë rast javën e kaluar ai kishte shprehur frikën se Gashi do të mund të largohet nga Kosova për shkak të pasaportës që e posedon.

“Të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen apo çfarëdo informacioni tjetër që lidhet me rastin ta njoftojnë policinë në numrat 192 si dhe 044-506- 091”, thuhet në njoftimin e policisë./Insajderi

SHPËRNDAJE