Lukashenko u thotë protestuesve se do u pres duart

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i ka kërcënuar protestuesit se do t’i lërë pa duar, duke thelluar retorikën ndaj kundërshtarëve të tij që po i bëjnë presion për dorëheqje.

Studentë, punëtorë fabrikash dhe pensionistë, i janë përgjigjur thirrjes së opozitares Svietlana Tsikanovskaya për nisjen e një greve të re mbarëkombëtare me qëllim që të detyrojnë Lukashenkon të mbajë zgjedhje të reja pas disa muajsh protestash.

Ish-shteti sovjetik është në krizë të thellë që prej muajit gusht kur opozita e akuzoi presidentin për manipulim të zgjedhjeve të cilat i fitoi. Ai ka mohuar akuzat dhe ka vazhduar ta mbajë pushtetin, kryesisht i përkrahur nga Rusia.

Më shumë se 16 mijë njerëz janë arrestuar që prej nisjes së protestave kundër Lukashenkos. Presidenti bjellorus ka mbyllur të gjithë kufijtë dhe ka emëruar zyrtarë të rinj nëpër postet e larta me qëllim që të forcojë pushtetin e tij.