Lumir Abdixhiku godet ashpër mjekët: Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, të sëmurët me kancer po refuzohen si mall

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër mjekët për refuzimin e pacientëve me kimioterapi për shkak të grevës, raporton Veriu.info

Ai ka thënë se në ftohtësinë më të madhe njerëzore njerëzit e sëmurë me kancer po refuzohen si mall.

Abdixhiku ka thënë se në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet jetësore, duke shtuar se mjekët kanë kaluar kufirin me këto veprime.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se mjekët kanë të drejtë të protestojnë se i kanë mashtruar por se adresën e mllefit e kanë gabim dhe se më së paku në këtë adresë i gjejnë njerëzit me kancer.

Postimi i plotë:

Hallegjinjë me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë.

Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi.

Keni çdo të drejtë të mbani inat; keni të drejtë të protestoni. Ju kanë mashtruar. Kanë luajtur me dinjitetin tuaj për një vit rresht.

Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet.

Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë.

E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër koridoret e tilla me familjarë më shpesh se ç’mund të kisha imagjinuar ndonjëherë. Veriu.info

SHPËRNDAJE