“Luva babush” me veturën e policisë, prokuroria ngrit aktakuzë

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi i cili kishte marrë veturën e policisë dhe e ka vozitur nëpër Pejë.

Aktakuza është ngritur për shkak të një videos që u pat shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale, kur disa të rinj e marrin veturën e policisë së Kosovës, dhe bëjnë video nëpër Pejë, me lojën me të fundit të quajtur “Luva babush”, e nisur nga reperët DJ Blunt e Real 1.

Kjo është video:

Prokuroria njofton se dy policët kishin lënë veturën zyrtare golf 5 në autolarje dhe kanë dalë në qendër tregtare deri në pastrimin e saj. Gjatë kësaj kohe, i pandehuri L.K me kapelë të policisë në kokë kishte marrë veturën dhe ka bërë video të cilën e ka postuar në YouTube.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri L.K, me datën 14 gusht 2018, në fshatin Raushiq të Pejës, kundërligjshëm nget veturën zyrtare të policisë, Golf 5, përderisa dy zyrtarët policorë e kishin lënë veturën zyrtare në një auto-larje, dhe të njëjtit kishin shkuar pranë një qendre tregtare, i pandehuri L.K., gjatë kësaj kohe shfrytëzon mungesën e policëve, futet në veturë zyrtare dhe fillon ta ngasë atë, si dhe e vendos kapelën e policisë në kokë, e tërë këtë ngjarje e incizon një shok i të pandehurit L.K, e ky i fundit e poston në rrjetin social Youtube”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale për vjedhje të veturës zyrtare.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE