Macron ua mban një ‘ligjëratë’ Thaçit e Ramës, a po flasin për korrigjimin e kufirit? (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po marrin pjesë në Samitin e Frankofonisë në Jerevan të Armenisë, dhe atje janë takuar edhe me presidentin francez Emmanuel Macron.

Në një video të publikuar nga Rama ata shihen teksa këshillohen diçka nga presidenti i Francës.

Thaçi prej disa javësh është duke folur për një skenar të marrëveshjes finale me Serbinë, përmes lëvizjes së kufijve.

Në Kosovë idenë e Thaçit pothuajse nuk është duke e përkrahur askush, por në mbështetje të idesë së tij, është edhe kryeministri Rama.

Ai edhe pse është rezervuar të mos flas shumë rreth kësaj ideje, në një intervistë në Opinion te Blendi Fevziu, këtë skenar e ka mbështetur duke e cilësuar si më të mirin për Kosovën.

Rreth idesë së Thaçit, të ndarë janë edhe fuqitë e mëdha, por Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pozicionuar në anën e idesë së prezantuar nga Thaçi, e cila parasheh që marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë të bëhet përmes lëvizjes së kufijve, ku Kosova do të merrte një pjesë të territorit të Serbisë ku jetojnë shqiptarët, ndërsa edhe pse Thaçi nuk po e thotë në publik, Serbisë do t’i jepej një pjesë e veriut të Kosovës.

Në këtë video të publikuar nga Rama, presidenti francez shihet teksa flet me zell me presidentin e Kosovës dhe kryeministrin e Shqipërisë, të cilët po e dëgjonin me vëmendje. Edhe pse fjalët e tyre nuk dëgjohen, duke pasur parasysh temën e cila kohëve të fundit është duke e dominuar Kosovën, Serbinë e edhe rajonin e politikën ndërkombëtare, Macron me shumë gjasë është duke folur për këtë.

Sigurisht, se pas kthimit nga Armenia, Thaçi do të i kthehet sërish temës së tij disa javore, e ndoshta edhe do të tregojë se çfarë i ka thënë presidenti Macron. /gazetametro

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE