Magjia e Neymar që vërshëllimat i ktheu në duartrokitje

U vërshëllye për 90 minuta, por për shkak të magjisë në minutën e 92-të, Neymar i ktheu ato në duartrokitje. Braziliani premton se do të punojë shumë për ta ndihmuar PSG-në që t’i arrijë objektivat në sezonin 2019/20.

Pas një vere plot spekulime për të ardhmen e tij – të cilat shpeshherë i nxiti vetë Neymari dhe stafi i tij – braziliani u kthye në skuadrën e PSG-së për herë të parë të shtunën, pasi që në katër ndeshjet paraprake kishte mbetur jashtë, shkaku i spekulimeve për të ardhmen.

Tifozët e Paris Saint-Germainit kishin pritur më shumë nga lojtari që e kishin transferuar për 222 milionë euro para dy vjetëve, mirëpo sot në “Parc Des Princes” ka vetëm vërshëllima për 27-vjeçarin.

Shumë lojtarë dhe trajneri i PSG-së kanë thënë gjatë ditëve të fundit se Neymari do të ketë mundësi ta rifitojë dashurinë e tifozëve nëse arrin të performojë në fushë, dhe braziliani e bëri pikërisht këtë, duke shënuar pak momente para fundit të ndeshjes.

Vërshëllimat për 90 minuta, Neymar i ktheu në duartrokitje në minutën e 92-të, kur shënoi një ndër golat më të bukur në karrierë, duke ia siguruar tri pikë PSG-së.

Pas ndeshjes, Neymar tha se i pranon vërshëllimat.

“Nëse duan të më vërshëllejnë, atëherë le të më vërshëllejnë, s’kam asgjë për të thënë. Ata janë të lirë të veprojnë dhe të mbështesin kë të don. Kur tifozët na mbështesin, PSG-ja është shumë më e fortë. Doja të largohesha, këtë e kanë ditur të gjithë, njerëzit në klub, presidenti, të gjithë. Por, është diçka e harruar. Tani jam lojtar i PSG-së dhe do të jap më të mirën sa herë që do të zbresë në fushë”, u shpreh braziliani.

“Po e përsëris, s’kam asgjë kundër tifozëve të PSG-së. Ata më organizuan pritje madhështore dy vite më parë dhe kurrë s’do ta harrojë. Do ta mbaj në zemrën time”. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE