Magjistralja Prishtinë – Podujevë, “rruga e vdekjes” në Kosovë

Mbi 5200 aksidente në komunikacion janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë periudhës janar – maj të këtij viti, me ç’rast 37 qytetarë kanë humbur jetën. Prishtina prin me numrin e aksidenteve me fatalitet, përderisa në Ferizaj nuk është regjistruar asnjë rast i aksidenteve me të vdekur.

Rruga Prishtinë – Podujevë po vlerësohet të jetë “Rruga e vdekjes” për shkak të numri të madh të aksidenteve që janë shkaktuar vit pas viti.

Avni Islami, ekspert i sigurisë në vend, ka thënë për “Zërin” se kjo rrugë është e ngarkuar me shumë vetura, sidomos edhe me ato të mërgimtarëve që vijnë për pushime në Kosovë, andaj edhe numri i aksidenteve në këtë pjesë është i madh.

“Rrugën Prishtinë – Podujevë vitin që shkoi e pata emërtuar ‘Rruga e vdekjes”, në të cilën rrugë ka jashtëzakonisht shumë ngarkesë, duke e ditur se lidh dy qytete, por edhe duke e llogaritur se është rrugë që përdoret nga mërgimtarët. Kjo është rrugë shumë e ngarkuar. Në vitin që shkoi më së shumti ka pasur aksidente e sidomos aksidente të rënda e me fatalitet”, ka thënë ai.

Islami ka thënë se përpos shpejtësisë së madhe, shkaktar kryesor i aksidenteve është edhe moskujdesi i shoferëve. Sipas tij, masat e mara deri më tani për parandalimin e numrit të madh të aksidenteve nuk kanë qenë te suksesshme.

“Në secilin vit për fat të keq nuk kemi rënie të aksidenteve, por po shkon në rritje graduale e kjo është shqetësuese për shkak se po del që institucionet përgjegjëse nuk po e gjejnë strategjinë e saktë se si të bëhet parandalimi i këtyre aksidenteve. Kanë provuar disa mënyra – rritjen e gjobave që për fat të keq nuk ka rezultuar të jetë e suksesshme. Vitin që shkoi janë përdorur edhe dronët me kamerë, mirëpo as kjo nuk ka pasur sukses”, ka thënë ai.

Ai ka thënë më tej se njëra nga masat që do të mundë të kishte efekt në parandalimin e aksidenteve do të ishte vendosja e radarëve statikë në vende të caktuara dhe mosnjoftimi i qytetarëve se ku janë të vendosur radarët./Gazeta Blic