MASHT-i jep lajmin e fundit për universitetet publike

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka propozuar reduktimin e universiteteve.

Në koncept dokumentin e siguruar, theksohen problemet e shumta që universitetet publike kanë; si mungesa e kuadrove, transparencës dhe probleme me infrastrukturë.

Ministria me anë të këtij dokumenti ka propozuar shndërrimin e 5 universiteteve në kampuse.

Sipas koncept dokumentit të punuar në muajt nëntor 2017 e prill 2018, në Universitetin e Prishtinës do të inkuadrohen si kampuse Universiteti i Gjilanit, Mitrovicës dhe Ferizajt.

E ky dokument që iu dorëzua edhe Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, ka sugjeruar themelimin e një universiteti të ri: atij të Dukagjinit.

Në këtë institucion do të përfshiheshin universiteti i Gjakovës ku do të vendosej edhe rektorati, universiteti i Pejës dhe ai i Prizrenit.

Por, kundër kësaj ideje ka dalur kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi.

Por, në raportin e grupit punues të MASHT’it, parashihet edhe opsioni i dytë ai i profilizimit të Universiteteve Publike.

E me një gjë të tillë pajtohet edhe Kurteshi.

Ai thotë se është e nevojshme një reformim i universiteteve publike të themeluara në dekadën e fundit.

Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se hapja e universiteteve të reja publike u bë pa llogaritën nevojën për to.

Madje Pupovci thotë se themelimi i universiteteve te reja publike është në kundërshtim me Strategjinë për Zhvillim të Arsimit të Lartë.

Ideja e Ministrit Bytyqi për shkrirjen e universiteteve kishte irrituar rektorët e shtatë universiteteve publike, të cilët me anë të një letre patën kërkuar dorëheqjen e ministrit.

SHPËRNDAJE