Mashtrimi i publikut nga Besa Shatri e Bedri Istrefi për mbrojtjen e Telekomin në Arbitrazhin e Dytë

Insajderi ka siguruar raportin e plotë të kompanisë “Mazars”. Përmbajtja e tij është në kundërshtim me deklarimet publike të grupit të deputetit Bekë Berisha në Telekomin e Kosovës, i cili përbëhet nga tre veta: Besa Shatri-Berisha, bashkëshortja e tij, Kryetare e Bordit, Lamih Balaj, miku i tij, kryesindialist si dhe Bedri Istrefi, i cili vepron në bazë të instruksioneve të kryesueses së bordit.

Mashtrimi i publikut nga Besa Shatri e Bedri Istrefi për mbrojtjen e Telekomin në Arbitrazhin e dytë

Besa Shatri-Berisha kryetare e bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës dhe Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes, mbajtën fshehur para publikut detajet e raportit të dyshimtë të kompanisë “Mazars”.

Ata në konferencën e 30 korrikut iu përgjigjen gazetarëve se raporti i kësaj kompanie është mbrojtja e ndërmarrjes publike, në rast se “Z-Mobile”, do ta padisë sërish në arbitrazh ndërkombëtar “Telekomin e Kosovës”

“Na jemi të gatshëm në çdo moment, në çdo formë, në çdo rrethanë, të gjitha veprimet që i kemi marr i kemi marr me kondinent të plotë me ekspertizë të jashtme ligjore që e kemi angazhua dhe ekspertizën e jashtme financiare”, pati deklaruar Istrefi gjatë konferencës.

Derisa në anën tjetër duartrokiste Lamih Balaj, kryesindikalist, i cili ka afërsi shoqërore me deputetin e AAK-së, Bekë Berisha, bashkëshortin e kryetares së bordit të “Telekomit të Kosovës”.

Gjatë kësaj konference, Istrefi dhe Shatri-Berisha i referoheshin ekspertizës financiare të bërë nga kompania “Mazars”. Kjo firmë është angazhuar në formë të dyshimtë dhe është partnere e firmës “Audit Conto”, në pronësi të kryetares Besa Shatri-Berisha.

Por, sa i qëndron mbrapa “Mazars”, ndërmarrjes publike në rast të padisë së sërishme në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit?

Insajderi ka zbuluar se kjo firmë nuk do ta bëjë dhe se raportin e ka bërë bazuar në kërkesën e menaxhmentit të ndërmarrjes publike.

Insajderi ka siguruar raportin e plotë të kësaj kompanie. Ka përmbajtje që është në kundërshtim me deklaratat e Istrefit dhe Shatri-Berishës. Derisa dyshja e grupit të politikanit Bekë Berisha pohojnë publikisht se shkëputjen e kanë bërë bazuar në rekomandimet e këtij raporti serioz, vetë kompania shkruan në raport se të dhënat e prezantuara aty nuk janë të sakta.

“Ne jemi mbështetur në informacionin që na është dhënë në datën e këtij dokumenti dhe nuk kemi kryer ndonjë hetim për të verifikuar këtë informacion. Përveç kësaj, disa informacione të përdorura në këtë raport janë të bazuara në informacione verbale ose deklarata të bëra nga Menaxhmenti i KT (Kosovo Telecom)”, theksohet në këtë raport.

Kompania ka shkruar në raport se ka bërë vetëm analizimin e deklarimeve gojore të menaxhmentit, ashtu siç i është kërkuar, dhe se nuk mbanë përgjegjësi për saktësinë e këtyre informacioneve.

“Puna jonë ka qenë e kufizuar në rishikimin e Marrëveshjes dhe pasojat në aspektin e supozimeve të bëra në bazë të të dhënave të ofruara nga Menaxhmenti”, thuhet në këtë raport.

“Asnjë interpretim nuk është bërë në lidhje me saktësinë apo plotësinë e këtij informacionit dhe asgjë në këtë raport nuk është apo do të përdoret si një parashikim i së ardhmes”, theksohet aty.

Po ashtu, kompania bënë të qartë që nuk mbanë përgjegjësi nëse deklaratat verbal të menaxhmentit janë të pasakta dhe si rrjedhojë nuk do të jetë mbrojtëse e “Telekomit të Kosovës”, në arbitrazhin e mundshëm në gjykata ndërkombëtare.

“Rrjedhimisht, ne nuk mund të pranojmë asnjë përgjegjësi për të mos zbulimin e mashtrimit (qoftë nga Menaxhmenti apo nga palët e treta) ose në rast të keqinterpretimit nga Menaxhmenti. Ne rezervojmë të drejtën, por nuk kemi asnjë detyrim, të rishikojmë vlerësimin tonë dhe analizën e paraqitur në raportin tonë dhe, nëse e konsiderojmë të nevojshme, të modifikohen”, theksohet në raport.

Kompania shpjegon se ka arsye për të mos marrë përgjegjësi për deklaratat verbale të menaxhmentit të “Telekomit të Kosovës”.

“Mazars”, tregon se nuk ka kryer një sërë punësh për të marrë përgjegjësi mbi të dhënat e prezantuara në raport.

Materiali i prezantuar në raport, sipas “Mazars”, bazohet në supozime të caktuara që mund të ndryshojnë sipas nevojës.

“Informacioni, i cili na është vënë në dispozicion për këtë qëllim është përdorur sipas parimit “siç është” pa e ndryshuar atë dhe pa përfshirë asnjë garanci apo pohime lidhur me korrektësinë apo besueshmërinë e tij. Vlerësimet dhe supozimet e përdorura në këtë raport janë marrë nga faktet e paraqitura nga tregu, pa kryer ndonjë sondazh sasior apo analizë të saktë të kostos”, shënohet në raport.

“Ne nuk kemi kryer procedurat e verifikimit për volumet e trafikut apo çmimet e shitjeve midis Vala dhe ZM, as nuk kemi marrë konfirmim të balancave nga palët e treta (avokatët, bankat, klientët, furnizuesit). Ne nuk kemi bërë rishikim të rreziqeve dhe detyrimet kontingjente që nuk janë identifikuar ose zbuluar nga kompania. Përveç kësaj, nuk kemi kryer një rishikim të sistemeve apo procedurave të informacionit. Ne nuk jemi takuar me auditorët ligjorë të kompanisë dhe as nuk kemi rishikuar fletët e tyre të punës”, thuhet në raportin e kompanisë “Mazars”, i cili është përdorur si argument për të shkëputur kontratën me kompaninë “Z-Mobile”.

Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje kryeshefit Bedri Istrefi dhe kryetares së bordit, Besa Shatri-Berishës lidhur me mos përputhjen e deklaratave të tyre dhe përmbajtjes së raportit të kësaj kompanie. Nuk ka marrë ende përgjigje.

Megjithatë, kanë pohuar në intervistat dhënë mediave tjera dhe para komisionit hetimor parlamentar se janë të gatshëm që të përballën sërish në gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit me ish-partnerin e tyre, kompaninë private “Z-Mobile”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE