Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor për sulmin fizik kundër gazetarit, Gazmend Morina

Për sulmin kundër gazetarit Gazmend Morina, të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të mbajtur këtë të enjte, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri.

Të akuzuarit Dedia dhe Krasniqi, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ngarkohen për kryerjen e veprave penale “kanosja”, “lëndimi i lehtë trupor” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, pasi që akuzohen se më 26 janar 2016, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Gazmend Morina.

Në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, është dhënë fjala hyrëse nga palët në këtë procedurë, me ç’rast prokurorja e rastit, Jelena Marinoviq, tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe provave.

Marinoviq, shtoi se në veprimet e të pandehurve Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, ka elemente të kryerjes së veprave penale me të cilat ngarkohen, andaj sipas saj, kjo akuzë është me vend e arsyetuar dhe e bazuar në ligj.

Ndërkaq, i dëmtuari në këtë rast Gazmend Morina, në fjalën e tij hyrëse, tha se e tërë kjo ka ndodhur pas një komenti që ky personalisht e ka bërë në Facebook e që më pas, sipas tij, për shkak të kësaj është kanosur dhe sulmuar nga të akuzuarit Dedia dhe Krasniqi.

I dëmtuari Morina, u shpreh se sulmi ndaj tij është kryer për shkak të shkrimeve të tij të vazhdueshme për keqpërdorimet e bëra në kombinatin “Trepça”, duke cekur se të akuzuarit në këtë rast sipas tij, kanë qenë vetëm ekzekutues të këtij rasti dhe se porositës i sulmit ka qenë  atëkohë menaxherin e Kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava, ndërsa organizator, shefi i sigurimit, Rafet Ibishi.

Fjala hyrëse e të dëmtuarit Morina, u kundërshtua nga ana e të akuzuarit Nexhat Dedia, i cili u shpreh se gazetari Gazmend Morina e që në këtë rast është i dëmtuar, është duke dhënë sipas tij, dezinformata.

I akuzuari Dedia, në fjalën e tij hyrëse, para gjykatësit të rastit Ferki Xhaferi, foli për kontributet, që sipas tij, i ka dhënë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohën e luftës dhe për kohën kur ka shërbyer si komandant tek Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e që për të gjitha këto, siç tha ai, nuk është e drejtë të quhet ‘profiter i luftës’ dhe se është ndjerë shumë keq kur e ka parë se i dëmtuari Morina, i është drejtuar atij me këto fjalë.

Dedia shtoi se në reagimin e bërë, i dëmtuari Morina e ka quajtur atë vegël të Ahmet Tmavës e që për këtë, ai u shpreh se ai nuk është vegël e askujt dhe se këto akuza sipas tij, kanë qenë të rënda për t’i pranuar.

Sa i përket akuzës për sulmin e bërë ndaj të dëmtuarit Morina, i akuzuari Dedia tha se rastësisht përderisa ka qenë i shoqëruar nga i akuzuari tjetër në këtë rast, Labinot Krasniqi, e kanë takuar të dëmtuarin Morina dhe ka dashur ta pyes se përse e ka quajtur ‘profiter’, por sipas tij, i dëmtuari nuk është ndalur, ka hyrë në veturën e tij dhe se e tëra ka qenë një shtyrje dhe jo sulm, siç ceket në aktakuzë.

I akuzuari Dedia, në fund tha se nuk është aspak e vërtetë se kanë goditur të dëmtuarin Morina me shufra hekuri, pasi që sipas tij, po të ishte ashtu, ky i fundit do të pësonte lëndime shumë të mëdha.

Po ashtu, edhe i akuzuari Labinot Krasniqi në këtë rast u shpreh se i kundërshton deklarimet e të dëmtuarit Morina në raport me të, duke cekur se si punëtor i Postës dhe Telekomit të Kosovës, nuk ka pasur lidhje me kombinatin “Trepça” apo atëkohë menaxherin e këtij kombinati, Ahmet Tmava, dhe se nuk pranon të quhet vegël e dikujt.

Përveç kësaj, në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, është dëgjuar dëshmitari Enis Mejzini, cili ka treguar për ngjarjen e 26 janarit 2016.

Ai tha se të dëmtuarin Morina e njeh qysh moti, pasi që sipas tij, kanë punuar bashkë në Komunën e Vushtrrisë.

Lidhur me rastin konkret, dëshmitari Mejzini u shpreh se prapa objektit të Komunës së Vushtrrisë e ka një lokal dhe atë ditë ka qenë duke i rregulluar karriget me rastin e vdekjes së babait të tij.

Ai tha se në momentin kur i dëmtuari Morina e ka pyetur se a ka parë diçka, ky i ka treguar se nuk ka parë asgjë se çfarë ka ndodhur.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të dëshmitarit Enis Mejzini, prokurorja e rastit Jelena Marinoviq kërkoi nga gjykatësi i rastit Ferki Xhaferi, që kjo seancë të shtyhet me qëllim që të përkthehen disa shkresa të tjera të kësaj lënde penale nga gjuha shqipe në atë serbe, me qëllim që sipas saj, të jetë sa më mirë e informuar për rastin konkret, pasi që ajo tha se kjo lëndë më pare i ka takuar prokurores Fetije Bajrami- Shala, e që kjo e fundit para disa muajve, është avancuar nga Departamenti i Përgjithshëm në atë të Krimeve të Rënda.

Ky propozim i prokurores Marinoviq, u aprovua nga ana e gjykatësit Xhaferi pa kundërshtime nga palët e tjera në këtë procedurë, me ç’rast seanca e radhës u caktua më 14 gusht 2018.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë  Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Nexhat Dedia,  më 23 janar 2016, në Shkup, ka kanosur personin tjetër se do ta gjej një e keqe pasi që kishte publikuar një foto në Facebook, së bashku atëkohë me menaxherin e Kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava dhe të akuzuarin tjetër Labinot Krasniqin.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që tani i dëmtuari Gazmend Morina, në foton e publikuar nga i akuzuari Dedia, ka shkruar komentin “nuk paska me pas krizë për Trepçën”, ku pas tre orësh, i pandehuri Dedia e ka kërcënuar të dëmtuarin Morina, se do t’ia sheh sherrin kur të kthehet në Kosovë, duke i thënë “ki me pa se kush jam unë, ke me pas problem për këtë punë”.

Me këtë, i akuzuari Nexhat Dedia, akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 i KPRK-së.

Në vazhdim të aktakuzës, të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, në bashkëkryerje më 26 janar 2016, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Gazmend Morina, ashtu që sipas aktakuzës, me forcë kanë hapur derën e automjetit “Fiat Punto”, në të cilin ka qenë i ulur i dëmtuari, me ç’rast kanë filluar ta sulmojnë dhe ta godasin të dëmtuarin me shufra metalike, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, skuqje në laprën e veshit të anës së majtë, në regjionin e shpatullës dhe krahut të majtë me pasoja  të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të akuzuarit ngarkohen edhe me veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimiperDrejtesi

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE