McGregor u pensionua, Mayweather e tall keq: A s’thatë që do t’më rrihnit mua në rimeç?

Floyd Mayweather e ka tallur rëndë Conor McGregorin, vetëm një ditë pasi luftëtari irlandez i UFC-së e njoftoi pensionimin nga sporti. Boksieri amerikan thotë se është i gatshëm ta ndëshkojë irlandezin nëse ai përpiqet ta provojë boksin përsëri.

McGregor i la gojëhapur adhuruesit e UFC-së të dielën kur njoftoi se është pensionuar. Kjo është hera e tretë në katër vjetët e fundit që irlandezi pensionohet, transmeton Gazeta Express.

Në të kaluarën ai e kishte njoftuar pensionimin më 2016 dhe 2019, para se të rikthehej dy herë në kafaz për të luftuar.

Ish-kampioni i botës në UFC është 31-vjeçar dhe shënon 22 fitore dhe katër humbje në karrierë.

Në luftën e fundit, e zhvilluar në janar 2020, McGregor e rrahu të parapëlqyerin e publikut, amerikanin Donald Cerrrone, për 40 sekonda në Las Vegas.

“Kam vendosur të pensionohem nga luftimi. Faleminderit të gjithëve për kujtimet e mahnitshme! Çfarë përvoje e paharrueshme!” shkroi McGregor në Twitter.

McGregor e kishte provuar edhe boksin, në një meç që e kishte humbur kundër ish-kampionit të botës Floyd Mayweather në gusht të vitit 2017.

Mayweather është i bindur se do ta mposhte sërish irlandezin, duke e tallur atë për vendimin për t’u pensionuar nga luftimi menjëherë pasi ishte zotuar se do ta rrihte amerikanin e pamposhtur deri më tani.

Duke iu përgjigjur McGregorit në postimin ku e njoftoi pensionimin, Mayweather shkroi: “Nëse nuk e kam gabim, a nuk i thatë ju Mike Tysonit se do të më mposhtnit mua nëse do ta bënim një rimeç? E tash po pensionohesh!”

“Mendova se donit ta mposhtnit më të mirin? Epo, nëse vendos të rikthehesh, do të pres për të të ndëshkuar”. /Gazeta Express/