Me 80 vota ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Votimi i kësaj ujdie u bë në tentativën e pestë për ta hedhur në votim atë. 80 deputetë votuan pro saj, 11 kundër, pas asnjë abstenim.

Deri tek kalimi i Demarkacionit erdhi pas një debati maratonik që u mbajt në parlament i cili zgjati rreth nëntë orë, ku folën mbi 30 deputetë për këtë çështje

Ligjvënësit i thanë po Demarkacionit, një muaj pasiqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dolën me një deklaratë të përbashkët sipas së cilës parashihet formimi i një trupi të përbashkët punues me përfaqësues të Malit të Zi.

Ky organ, pritet të evidentojë mospajtimet në lidhje me vijën kufitare dhe të bëjë korrigjimet e nevojshme në Çakorr e Zhlep.

Marrëveshja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit ishte firmosur në Vjenë më 26 gusht të vitit 2015 nga Presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi asokohe, ministër i jashtëm, dhe ish-ministri i brendshëm, Skender Hyseni, ndërkaq për palën serbe firmën e kishin vënë ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ai i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Që nga ajo kohë, kjo ujdi ka hasur në kundërshtime të mëdha të opozitës me arsyetimin se Kosova po humb 8 mijë hektarë tokë.

Në mesin e atyre që ishin kundër Demarkacionit ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj në kohën sa ishte në opozitë.

Ai në ditën e parë të punës në krye të ekzekutivit kishte shkarkuar komisionin për shënimin e kufirit duke emëruar Shpejtim Bulliqin si udhëheqës të ekipit të ri, njofton Klan Kosova.

Pas votimit të Demarkacionit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet kushti vetëm i Bashkimit Evropian për t`ua hequr vizat kosovarëve./Klan Kosova

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE