“Me përfshirjen në dialog, Amerika dëshiron t’i arrijë tri qëllime”

Ditë më parë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump iu drejtua me një letër presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kërkoi nga homologët e tij të zgjidhin sa më shpejt çështjen e Kosovës. Lidhur me këtë ‘Blici’ serb ka ngritur një pyetje legjitime se: çfarë dëshiron në të vërtet SHBA-ja?

Gazeta thekson se e gjitha kjo nuk do të ishte aq e çuditshme nëse ndonjë zyrtar i administratës amerikane do të trajtonte këtë problem më seriozisht kur Prishtina rriti taksën në mënyrë drastike dhe më pas formoi ushtrinë, transmeton lajmi.net.

Trump bëri publike pyetjen nëse të dyja vendet donin që Shtetet e Bashkuara të merrnin rolin e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut.

Sipas bashkëbiseduesve të ‘Blic’, Amerika i ka tre qëllime të cilat don t’i arrijë: zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ‘dëbimin’ e BE-së dhe largimin e Rusisë nga ‘loja’ në Ballkan.

Burime të gazetës thonë se arsyeja për përshpejtimin e dialogut mund të jetë Rusia ose ndikimi i saj në Ballkan.

“Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje sepse kjo do të thotë hap i madh drejt BE-së, pasi që zgjidhja e këtij problemi është kyç për vazhdimin e mëtejshëm drejt integrimit evropian. Kur kjo të ndodhë, ndikimi rus do të zvogëlohet dhe do të hapet rrugë për bashkëpunim të mundshëm me NATO-n”.

Një qëndrim të ngjashëm e ndanë edhe drejtoresha e Qendrës për Studime Euro-Atlantike, Jelena Miliq. Ajo ka thënë se letra e Trump është dërguar për të inkurajuar Serbinë dhe shton se nuk do të jetë e habitshme nëse aktiviteti i SHBA-ve rritet.

“Unë mendoj se SHBA-të dëshirojnë të përshpejtojnë dialogun. Kjo nuk nënkupton ‘dëbimin’ e Bashkimit Evropian pasi shumica e vendeve evropiane janë në NATO”, ka deklaruar Miliq.

Sipas saj, nëse Serbia ka ndërmend të bëjë një kompromis pa kompromentuar rrugën evropiane është më mirë të ketë Amerikën si partnere dhe do të ishte mirë nëse Rusia do të pajtohej me këtë.

Analisti britanik, Tim Judah mendon se përfshirja e SHBA-ve në dialog është interes i tyre mirëpo është e vështirë të dihet saktësisht se cili është ky interes.

Judah ka theksuar se qëllimi i Rusisë është të mbajë rajonin të destabilizuar.

“Është interesante se si ata duan t’i mbajnë problemet gjallë, asnjë nuk e kanë zgjidhur, Gjeorgjinë, Moldavinë, Armeninë e as çështjen e Ukrainës. Do të ishte marrëzi të mendosh se Rusia ka interes zgjidhjen e problemeve në Serbi”, ka thënë ai.

Në fund ai ka shtuar se nëse SHBA-të përfshihen në dialog, Serbia do kërkonte përfshirjen e Rusisë edhe pse e dinë se nuk është zgjidhje e duhur. /Lajmi.net/

SHPËRNDAJE