Me peticion kërkojnë largimin e thertores nga qyteti i Vushtrrisë

E mban emrin e një heroi të kombit, dhe gjendet në pjesën e vjetër të qytetit dhe jo shumë larg një ndër urave më të vjetra në Kosovë – Ura qindra vjeçare e Gurit në Vushtrri. Por shëtitorja që mban emrin e policit që u vra më 26 korrik të vitit 2011 – Enver Zymberi – është bërë e pakalueshme për qytetarët e Vushtrrisë.

Janë mbeturinat përreth saj si dhe kundërmimet që vijnë nga thertorja aty afër, ato që po e bëjnë të padurueshme jetën e qytetarëve në atë pjesë.

Ndotja si pasojë e thertores, ka shtyrë banorët e rrugës “Kadri Zeka” në Vushtrri, dhe ata që jetojnë përreth shëtitores që të nënshkruajnë edhe një peticion, tashmë të dorëzuar dhe protokolluar në Komunën e Vushtrrisë, me kërkesë që të zhvendoset thertorja në një vend ku nuk ndikon në ambientin e qytetarëve.

62 banorë kanë nënshkruar peticionin e dorëzuar tek kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kopjen e të cilit e ka KosovaPress.

Ata po kërkojnë  largimin e thertores nga lagjja e tyre.

Besim Halili, një nga organizatorët për mbledhjen e nënshkrimeve, ka shpjeguar për KosovaPress shkaqet e kësaj iniciative qytetare.

Ai ka thënë se nuk janë kundër veprimtarisë së kompanisë në fjalë, por kundër ndotjes.

Halili thotë se për gjendjen rreth shëtitores që kalon në pikën ku bashkohen edhe lumenjtë Sitnica e Tërstena, dhe e cila u ndërtua me ndihmën e donatorëve, është fajtore qeveria lokale që nuk po ndërmerr masa.

Një tjetër bashkëqytetar i Halilit, shtëpia e të cilit gjendet përballë thertores së kompanisë Apetiti, Shpejtim Meniqi, tregon madje që kanë pasur edhe probleme shëndetësore për shkak të kundërmimit nga mbeturinat dhe djegia e mbetjeve shtazore.     

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, përmes një përgjigje për shkrim ka thënë për KosovaPress se inspektorët tashmë po shqyrtojnë kërkesën e banorëve, të cilën ai e quajti legjitime dhe me të drejtë. Tahiri në përgjigjen e tij tha madje se ndanë shqetësimin e njëjtë me qytetarët.

KosovaPress ka kontaktuar edhe kompaninë ”Apetiti”, pronarë e thertores, për të kuptuar nëse janë dakord për zhvendosjen e saj sipas kërkesës së banorëve të lagjes në rrugën “Kadri Zeka”, dhe një përfaqësues i kësaj kompanie vetëm përmes telefonit ka pohuar se së shpejti do të largojnë atë nga vendi.

Ani pse pati edhe një sugjerim për redaksinë.

“Këqyrni punët tjera”, nisi ai.  “Shumë shpejtë ka me u rregullua ajo çështje dhe kemi me dalë në një vend tjetër krejt”, ka thënë ai shkurt duke mos pranuar të jap identitetin.

Ndotja e ambientit në Kosovë mbetet një problem alarmant. /KosovaPress/

 

SHPËRNDAJE