“Më thanë hajde se u kall Enisi” – Dëshmitari rrëfen tmerrin pas zjarrit në banesën në Ulpianë

Një banesë është përfshirë nga zjarri në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë dhe si pasojë e zjarrit gjashtë persona raportohet se kanë pësuar lëndime, sipas policisë së Kosovës.

Një nga dëshmitarët, që e ka parë ngjarjen ka thënë se ka qenë jashtë lokalit të tij kur familjarët e kanë thirrur për flakën që kishte shpërthyer në një banesë aty. Sipas këtij dëshmitari zjarri kishte shpërthyer në banesën e një të riu i cili jeton në kushte të rënda.

Sipas këtij dëshmitari, ky i ri nuk i ka kushtet elementare për jetë, madje në banesën e tij thotë se nuk ka as rrymë dhe ai shfrytëzon qirinjtë. Ky sipas këtij qytetari mund të jetë shkaku i zjarrit.

“Isha jashtë lokalit. Më ka thirrë Lorika dhe më ka thanë o Afirm hajde se u kall Enisi. Në atë moment i kemi qitë jashtë ish kanë komplet dhoma tu kallë. Enisi është pronari i ndërtesës. Ai është rast social. Nuk e di si ka ndodhë, a ke qenë me qiri apo si, rrymë nuk ka pasë në banesë. Është lëndu Enisi dhe dy vajza. Ai djali banon vetë. Jeton në kushte të vështira. Rrymë nuk ka pasë. Ai ka qenë në gjendje jo të mirë. Unë e kam qitë jashtë. Poshtë ndihma e parë është vonuar dhjetë minuta derisa ka ardhë”, rrëfen ai.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për Insajderin se si pasojë e zjarrit janë lënduar gjashtë persona, një nga ta është dërguar në QKUK- Prishtinë, ndërkohe që pesë të tjerë kanë marrë tretmanë në vendin e ngjarje.

“Sot rreth orës 09:30, policia ka marrë informatën se ka shpërthyer një zjarr në një banesë në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Deri tani gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, një nga ta është dërguar në QKUK- Prishtinë, për trajtim mjekësor, ndërkohe që 5 te tjerët tretmanin e kanë marrë në vend ngjarje ( probleme me frymëmarrje nga tymi).”, tha Ahmeti për Insajderin.

Ndërkohë zjarrfikësit që tashmë janë në vendin e ngjarjes kanë dhënë detaje për rastin duke bërë të ditur se zjarri tashmë është fikur.

“Në ora 9 kemi marrë informatë për zjarrin në një banesë në Ulpianë. Kur kemi ardhë kemi fikur zjarrin. Shkaku nuk dihet ende, por janë ekspertët në vendin e ngjarjes dhe ata do ta konstatojnë shkakun e zjarrit. Sipas informatave janë tre të lënduar”, kanë njoftuar ata.

SHPËRNDAJE