Mediat serbe: Me formimin e ushtrisë, Kosova i dërgon mesazh të qartë Serbisë

Analistët në Serbi sot janë marrë me formimin e Ushtrisë së Kosovës, respektivisht miratimit të tri ligjeve që FSK-në e shndërrojnë në Ushtri.

Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për punë evropiane, ka thënë për DË se miratimi i tri ligjeve që Kosovën e bëjnë me ushtri, “asgjë nuk do të thotë në praktikë”.

“…sepse tash në vend të Forcave të Sigurisë së Kosovës do t’i kemi Forcat e Armatosura të Kosovës”, thotë ai.,

“Pyetja e drejt është se pse pikërisht tash po ndodh kjo, pasi që Bashkimi Evropian ka qenë kundër këtyre hapave. Mendoj se kjo nuk është mirë, pasi që ne para se gjithash ka më shumë se një vit që nuk kemi bisedime të mirëfillta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se pas gjithë kësaj qëndron një far tentimi i forcimit të nacionalizmit”, ka thënë Beshiri, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, kjo ka të bëjë më shumë me fuqizimin e brendshëm të Kosovës, pasi që sipas Beshirit tash e tutje në Kosovë do të thonë: “ja pra, e kemi edhe Ushtrinë”.

Mirëpo, kështu nuk mendon analisti ushtarako-politik, Aleksandar Radiq.

Ai thotë se një hap i tillë mund të vlerësohet edhe si porosi për Serbisë se nuk ka kthim sa i përket pavarësisë së Kosovës.

“Në këtë drejtim edhe projekti i mëvetësisë dërgon drejt krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Në atë moment kur e keni ligjin në të cilin shkruan se detyra kryesore e forcave të armatosura është mbrojtja e territorit të Kosovës, atëherë është e qartë se kjo shndërrohet në një simbol rreth të cilit nuk ka kthim për autoritetet shqiptare. Ky është një moment psikologjiko-propagandues i cili ju jep peshë në bisedime, sepse trengon qëndrim të qartë se nuk ka ndarje të territorit”, ka vlerësuar Radiq. /Ballkani.info/

SHPËRNDAJE