Mehmet Kraja: Dyshoj se qeveria e Kurtit do të jetë efikase, elita jonë politike është tinëzare dhe djallëzore

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, skenën politike e cilëson të korruptuar, tërësisht amorale dhe burim i të gjitha idiotizmave.

Sipas Krajes, klasa jonë politike nuk po arrin të emancipohet në asnjë nga parametrat e saj moral dhe civilizues:

“Zgjedhjet e radhës e vërtetojnë këtë, të cilat nxorën në sipërfaqe edhe përfaqësues të gjeneratës së re, por të cilët tashmë janë dëshmuar si kleptomanë të rryer: janë ca tridhjetëvjeçarë që duken më “cool” dhe të mahnitin me aftësitë e tyre për të manipuluar audiencën”, ka thënë ndër të tjera në një intervistë për “Bota sot”,

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Kraja: Kjo është temë më vete, e cila kërkon një analizë më të plotë. Megjithatë, çfarëdo që të themi për gjendjen aktuale politike në Kosovë, duhet së pari t’i bëjmë një analizë sado të përciptë klasës sonë politike thellësisht jocilësore dhe me një aftësi të çuditshme për të rigjeneruar negativitetet.

Nga zgjedhjet e fundit mund të nxirret një përfundim: Skena jonë politike përfundimisht është e korruptuar, tërësisht amorale dhe burim i të gjitha idiotizmave.

Një proces zgjedhor që u duk se shkoi mirë, shihni tani se çfarë bëhet për ta përmbysur rezultatin, për ta futur “Nismën” në Parlament dhe për t’i dhënë shkelmin “Vetëvendosjes” në momentin e përshtatshëm, ose për “relativizuar” fuqinë e saj në qeverisje. Pse? Thjeshtë sepse “Vetëvendosjes” ende nuk i është matur “fleksibiliteti” në shitblerjet korruptive.

E njëjta gjë ndodhi, kur “Vetëvendosje” e mori qeverisjen në komunën e Prishtinës: iu vërsulen që ta shkatërronin qeverisjen e saj dhe ia dolën. Por çfarë prodhuan? Një qeverisje komunale të dështuar, të cilën nuk e meriton as Ranillugu.

Kam frikë se kjo do të ndodhë edhe me qeverinë e Albin Kurtit dhe, që të jem i qartë, kjo nuk ka të bëjë me mbështetjen time eventuale për liderin e “Vetëvendosjes”, por thjeshtë me ndotjen pa karar të skenës sonë politike, e cila, mbi të gjitha, del se është tinëzare dhe djallëzore.

Në anën tjetër, klasa jonë politike nuk po arrin të emancipohet në asnjë nga parametrat e saj moralë dhe civilizues: zgjedhjet e radhës e vërtetojnë këtë, të cilat nxorën në sipërfaqe edhe përfaqësues të gjeneratës së re, por të cilët tashmë janë dëshmuar si kleptomanë të rryer: janë ca tridhjetëvjeçarë që duken më “cool” dhe të mahnitin me aftësitë e tyre për të manipuluar audiencën. Hë për hë, kjo është cilësia e tyre e vetme

SHPËRNDAJE