Menjëherë pas rrëzimit të qeverisë deputetët gjermanë i drejtohen Kosovës me këtë mesazh

Deputetët gjermanë nga CDU/CSU kërkojnë nga përgjegjësit në Kosovë që të garantojnë vazhdimësinë e funksionimit të qeverisë.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, tre deputetë të grupit parlamentar CDU/CSU bëjnë thirrje për vijimësi në aktivitetet e qeverisë.

Në një deklaratë për media, të cilën e ka Deutsche Welle, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, si edhe dy raportuesit për Kosovën, Peter Beyer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU), kërkojnë krijim sa më të shpejtë të qeverisë së re. “Në këtë kohë të vështirë, Kosovës i duhet urgjentisht një qeveri e aftë për veprim dhe për vendimmarrje. Të gjithëve që janë përgjegjës në Kosovë – parlamenti, qeveria dhe presidenti – u bëhet thirrje të japin ndihmesën e tyre për qëndrueshmërinë e veprimtarisë së qeverisë. Duke vijuar punën e saj në në mënyrë konsekuente, qeveria duhet të rifitojë besimin që ka humbur kohët e fundit“, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Deputetët formulojnë edhe disa prioritete për qeverinë e re, siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i trajtimit të krimeve të luftës, heqjen e tarifave ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, dhe vijimin e dialogut me Serbinë. Prej kësaj të fundit, ata kërkojnë edhe që të heqë dorë nga lobimi për mosnjohjen e Kosovës.

“Përparësi duhet të ketë këtu luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që t’i jepet shtysë ekonomisë së vendit”.

Një tjetër prioritet, sipas deputetëve gjermanë, duhet të jetë edhe “vazhdimi i trajtimit gjyqësor të krimeve të luftës, pa të cilin nuk mund të krijohet paqe e brendshme dhe asnjë bazë besimi. Këtu përfshihen sidomos Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar për ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”.

BEOGRADI TË NDALË LOBIMIN KUNDËR KOSOVËS

Deputetët gjermanë kanë formuluar me këtë rast edhe pritshmërinë e tyre për uljen e tarifave: „Ne presim që tarifat për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën të vendosura nën qeverinë Haradinaj të hiqen plotësisht dhe menjëherë.“

Christian Schmidt (CSU)

Po ashtu ata kërkojnë rifillimin e sa më të shpejtë të dialogut me Serbinë, por shtojnë se „kërkojmë që Beogradi të përfundojë menjëherë aktivitetet e tij kundër njohjes së Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. „Pa ndryshuar politikat e tyre në këto pika, këta dy vende do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Vetëm BE u ofron këtyre vendeve një perspektivë serioze dhe të përgjegjshme në të ardhmen dhe ka treguar se është gjithashtu e gatshme ta bëjë këtë”, përmbyllin deklaratën politikanët e CDU/CSU-së.

Peter Beyer (CDU)

Ndërsa Ministria e Jashtme e Gjermanisë ishte shprehur së fundmi, nëpërmjet një deklarate të përbashkët të ambasadorit gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, me homologun e tij francez, si edhe nëpërmjet një deklarate të ministrit gjerman të Evropës, Michael Roth, për tërheqjen e mocionit ndaj Kurtit, grupi parlamentar gjerman CDU/CSU, parti simotra këto me LDK-në, deri tani e kishte vëzhguar ngjarjen ne heshtje.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, ishte shprehur në një deklaratë të përbashkët me Albin Kurtin, pas bisedës së tyre të parë zyrtare, të hënën përmes telefonit, për „vijimin e dialogut nën udhëheqjen e qeverisë së Kosovës“, çka mund të interpretohej se ajo do të preferonte personalitete të tjera nga ato të prillit të vitit të kaluar, që do të udhëhiqnin dialogun me Serbinë.

SHPËRNDAJE